MENU
klinika

Kori shqiptar

Antoni, etnomuzikologu dhe dirigjenti

21.10.2021 - 12:16

         Shënohet ditën e sotme, ndarja nga jeta e kompozitorit, dirigjentit dhe etnomuzikologut shqiptar, Lorenc Antoni.

Antoni ka lindur në Shkup më 21 tetor 1901. Ai studioi në Fakultetin Filozofik në Shkup dhe muzikën e ka mësuar privatisht në qytetin e lindjes dhe në Beograd.

Veprimtarinë muzikore e fillon së pari, si dirigjent i korit. Jo shumë vonë nis të kompozojë edhe pjesë të ndryshme, veçanërisht për orkestra mandolinash dhe tamburash, që edhe i udhëhiqte. Bashkë me kompozimin merret njëkohësisht edhe me mbledhjen e folklorit dhe me etnomuzikologji, kurse veprimtarinë si pedagog i muzikës e ndëmerr më vonë. Këto katër veprimtari Lorenc Antoni i zhvilloi në Shkup, deri në vitin 1941.

Në prill të vitit 1941 zhvendoset në Kosovë, më parë në Ferizaj e më pas në Prizren, duke u marrë me muzikë.

I vetmi dirigjent i korit shqiptar atëherë ishte Lorenc Antoni.

Fondi tepër i vogël i muzikës korale që kishte kompozuar qysh para lufte i shërbeu për të filluar punën me kore. Për punën e mëtejshme iu desh të krijojë një literaturë korale të re. Për nevojat e korit të Shoqërisë Kulturale Artistike “Agimi” në Prizren, që e drejtoi deri në gjysmën e vitit 1956, kompozoi një varg pjesësh korale.

Më 1948, kur u hap shkolla e parë e muzikës në Prizren, Lorenc Antoni qe drejtori i parë i saj deri më 1956. Pas kalimit në Radio Prishtina, si redaktor i muzikës popullore, udhëheq shumë kohë edhe korin e saj. Më se dyzet vjet ka dirigjuar kore të ndryshme në Shkup, Ferizaj, Prizren e Prishtinë e gjithkund ka korrë suksese të dukshme.

Antonit iu desh që ta hapë vetë ta rrugën e vështirë të shkencës dhe të artit muzikor, dhe të zgjidhë shumë e shumë probleme lidhur me jetën muzikore. Kontributi i tij është aq më i vlefshëm dhe merita e tij është po aq e madhe.

AQSH ruan një përmbledhje të krijimtarisë së Antonit, e botuar nga shtëpia botuese “Prosveta” të Beogradit, më 1957.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Jazz 'pushton' Shkodren

“Shkodra Jazz Festival”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit