MENU
klinika

Jo gjithmonë...

Aspirina nuk është zgjedhja e duhur për sëmundjet e zemrës!

13.10.2021 - 15:44

Terapia e përditshme me aspirinë është kthyer në një ‘ritual’, për të gjithë personat e moshuar, në mënyrë që të pandalojnë sulmet në zemër ose goditjet në tru.

Por Task Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA – një panel ekspertësh shëndetësorë të mbështetur nga qeveria – po shqyrtojnë ndryshime të mëdha në rekomandimet e tyre në lidhje me përdorimin e aspirinës.

Sipas draft udhëzimeve të reja, mjekët duhet të ndalojnë së rekomanduari regjimin ditor të dozës së ulët të aspirinës, për të rriturit mbi 60 vjeç, si një mënyrë për të shmangur sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru. Dëmet e mundshme të aspirinës, të cilat përfshijnë ulçerat dhe gjakderdhjen, anulojnë çdo përfitim të mundshëm, sipas ekspertëve.

Në të njëjtën kohë, të rriturit e moshës 40 deri në 59 vjeç, të cilët janë në një rrezik më të lartë të zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare duhet të flasin me mjekët e tyre nëse një regjim ditor i aspirinës do të ishte në dobi të tyre.

Mënyra të tjera për të parandaluar sëmundjet e zemrës dhe goditjen në tru

Sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru janë komplekse dhe ka shumë faktorë që kontribuojnë në këtë rrezik, përfshirë moshën dhe gjenetikën. Ekspertët e shëndetit kardiovaskular nxitojnë të theksojnë se njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga ilaçet e nevojshme. Ndërsa rekomandimet e reja potenciale ka të ngjarë të kufizojnë përdorimin e gjerë të aspirinës për të parandaluar sëmundjet e zemrës, ajo mund të mbetet një mjet shumë i rëndësishëm për shumë njerëz.

Por mjekimi nuk është mënyra e vetme për të parandaluar problemet kardiovaskulare kërcënuese për jetën. Faktorët e stilit të jetesës luajnë një rol të madh dhe marrja nën kontroll e presionit të lartë të gjakut dhe kolesterolit të lartë mund të ndihmojë shumë në promovimin e shëndetit të përgjithshëm të zemrës.

Dieta është e para. Ushqimet me fibra dhe me pak yndyrë mund të ndihmojnë, po ashtu edhe pakësimi i kripës. Kardiologët kanë tendencë të theksojnë rëndësinë e ngrënies së shumë frutave dhe perimeve në masën që është e mundur, në vend që të përqëndrohen shumë në eliminimin e ushqimeve “të këqija”.

Aktiviteti është gjithashtu i rëndësishëm. Duhet të synoni të paktën 20 minuta lëvizje në ditë. Nuk ka pse të jetë shumë energjik: Ecja, vallëzimi dhe kopshtaria janë të rëndësishme.