MENU
klinika

Përmirësim eficiencës energjetike

Balluku: Mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël

20.10.2021 - 15:15

Në kushtet kur i gjithë tregu global po përballet me krizën energjetike, qeveria shqiptare përmes bashkëpunimit me Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike ( SECO) do të mbështesë bashkitë për rritjen e eficiencës së energjisë elektrike.

Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen me SECO-n për energjinë inteligjente, e cila do të zbatohet në 4 bashki pilot. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë se projekti lidhet ngushtësisht me eficiencën energjetike dhe kursimin e saj.

“Do të kemi mundësi të pilotojmë në 4 bashki këtë projekt që synon eficiencën e energjisë edhe nga pushteti lokal duke filluar nga ndriçimi i rrugëve, mënyra se si mund të ushqehen makinat hibride, etj. Po ashtu përdorim tjetër do të ketë edhe në ujësjellës, zyrat e pushtetit vendor, shkolla, spitale, etj”, tha Balluku.

Ministrja Balluku komentoi edhe situatën e krijuar në vend nga kriza globale e energjisë. “Siç e kemi deklaruar prej fillimit të këtij muaji, kriza globale e energjisë ka prekur edhe vendin tonë dhe ne po punojmë për të gjetur të gjithë instrumentet për të zbatuar një politikë për mbrojtjen e konsumatorit familjar dhe bizneseve të vogla nga çdo lloj ndikimi që mund të ketë tregu”, tha Balluku.

Ministrja bëri të ditur se një ndër çështjet më problematike, përveç çmimit në rritje është edhe gjetja e sasisë së energjisë për t’ia ofruar tregut, qoftë edhe konsumatorëve të tensionit të mesëm apo të lartë që preferojnë të shërbehen akoma edhe sot, pavarësisht se ata kanë dalë prej disa kohësh në tregun e lirë. “Kemi marrë përgjegjësinë që të ofrojmë energji pa ndërprerje në të gjitha zonat e Shqipërisë duke qenë se sot rrjeti i shpërndarjes e bën të mundur këtë pas investimeve të shumta që janë kryer”, deklaroi ministrja.

Ajo theksoi se konsumatori familjar dhe biznesi i vogël do të vijojnë të qëndrojnë nën mbrojtjen sociale pavarësisht luhatjeve “Qeveria po punon çdo ditë për të siguruar energjinë e nevojshme për të mbuluar nevojat. Të dy fashat, konsumatori familjar dhe biznesi i vogël do të vijojnë të qëndrojnë nën mbrojtjen sociale pavarësisht luhatjeve. Ndërkohë biznesi i madh prej kohësh furnizohet nga tregu i lirë, por kemi hapur dyert për të gjitha ata që kanë dëshiruar të kthehen dhe të marrin energji nga OSHEE për shkak se janë të ekspozuar nga çmimet shumë të larta”, deklaroi Balluku.

Ministrja u shpreh se është një moment ku qeveria duhet të mbështesë të gjithë konsumatorët.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Balluku: Do t’i shërbejë gjithë Ballkanit Perëndimor

Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit për Korridorin 8