MENU
klinika

7 pikat

Basha prezanton planin për përballimin e krizës energjitike

03.10.2021 - 22:12

Kryedemokrati Lulzim Basha ka propozuar një plan me shtatë pika që sipas tij do të ndihmojë shqiptarët të kapërcejnë krizën energjitike dhe të rritjes së çmimeve të karburanteve. Në një deklaratë për mediat, Basha tha se duhet hequr taksa prej 240 lekësh për litër karburanti, duhet ulur TVSH-ja për ushqimet nga 20 në 6%, duhet bërë një ristrukturim i buxhetit të shtetit në mënyrë që qytetarët të subvencionohen për çmimin e energjisë elektrike. Kryedemorkati Basha shton se ajo që duhet bërë me urgjencë është ndalja e shpenzimeve të shfrenuara e luksoze të OSHEE dhe KESH, që sipas tij janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve. Duke ndarë më shumë para për shtresat në nevojë dhe duke bërë një ristrukturim të ekonomisë aktuale që sipas kreut të Partisë Demokratike është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve, kriza e energjisë dhe e karburanteve që do të prekë Shqipërinë, do të kalojë më lehtë.

Deklarata e plotë:

Tellalli i së keqes doli sot për të larë duart para shqiptarëve, për atë që po përgatit për ta, rritjen e mëtejshme të çmimeve të energjisë, ndërsa tashmë të gjitha cmimet janë rritur ndjeshëm duke pamundësuar për qindra mijëra shqiptarë të përballojnë nevojat bazë. Vërtet bota po përballet tani, por shqiptarët kanë 8 vite që përballen me çmimet më të larta në rajon e ndër më të lartat në Europë, të energjisë dhe karburantëve. Në ato vende ku ndodhin rritje të diktuara nga tregjet ndërkombëtare, qeveritë e përgjegjshme u vijnë në ndihmë qytetarëve të tyre. Por a mund të ndodhë kjo më këtë qeveri? Shqiptarët e dinë mirë që jo. Ata e kanë parë se si në momentet më të vështira të këtyre viteve, kjo qeveri dhe ky kryeministër i ka braktisur. Kështu ndodhi me tërmetin, kështu ndodhi me pandeminë. Shqiptarët e kanë parë se si fondet e rindërtimit u përdorën për të majmur ortakët e Edi Ramës, dhe po këto fonde të jepeshin jo për njerëzit në nevojë , por për të marrë në këmbim votën e tyre. Shqiptarët e kanë vuajtur në lëkurën e tyre braktisjen gjatë pandemisë, kur babëzia e kësaj pakice të korruptuar dha ndihmën më të ulët ekonomike në Europë, duke shkaktuar rritjen më të madhe të jetëve të humbura në kontinent, varfëri dhe papunësi. Me këtë bilanc të zi, me këtë qeverisje që fatkeqësitë e njerëzve i kthen në gosti milionash për ortakët e tij, detyra jonë si opozite është të ushtrojmë, edhe me ndihmën e qytetarëve, të gjithë presionin e duhur që askush të mos braktiset, askush të mos vuajë makutërinë e kësaj pakice.

Ndaj prioritetet në këtë moment të parë janë të qarta dhe të domosdoshme:

1- Heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti;

2- ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ashtu siç kemi kërkuar prej javës së parë në kuvendin e Shqipërisë;

3- Faturimi me çmime dhe sasinë reale të konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve;

4- Subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët;

5- Mirëmenanxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHEE dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve.

6- Ristrukturim të buxhetit për tu përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime.

7 – Më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve. Të dashur qytetare dhe qytetarë, Nisur nga eksperiencat e hidhura që përmenda pak më parë, vetëm këmbëngulja jonë e përbashkët i pamundëson këtij kryeministri dhe kësaj pakice të korruptuar të përdorë fatkeqësitë tuaja për t’u pasuruar vetë dhe miqtë e tyre. Shqipëria është e juaja, jo e një pakice.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qytetarët duhet të përgatiten krizën energjitike; rritjen e çmimit të gazit me rreth 250%, atë të karbonit me rreth 80% dhe të naftës. Për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar. Rama tha se kjo krizë do prekë jetën e familjeve dhe bizneseve, por qeveria do u qëndrojë pranë shtresave në nevojë, biznesit të vogël dhe konsumatorëve familjarë.