Deputeti socialist, Erion Braçe, ka komentuar sot lajmin për rritjen e çmimeve të karburanteve. Ai shkruan se tregjet në Shqipëri kontrollohen nga 4-5 kompani ku konkurrenca sipas tij është thuajse formale.
Braçe shton se çmimet as funksionojnë si në bursë dhe as përcillen siç bursa vendos.
Ai thekson se këto çmime nuk i nënshtrohen konkurrencës.
Postimi i plotë nga Erion Braçe:
Çmimet nuk godasin të pasurit! Çmimet copëtojnë të varfëritë! Çmimet shtyjnë për poshtë, në varfëri, shtresën e mesme! Çmimet thellojnë pabarazinë, polarizojnë shoqërinë! Këtë duhet të ndalim! Çmimet do jetë e pamundur t’i ndalim, por ai që duhet të ndalim është abuzimi!
Tregjet tona janë të përqendruara, të kontrolluara nga vetëm 4-5 kompani, thuajse me konkurrencë formale. Çmimet në to as funksionojnë si në bursë dhe as përcillen siç bursa vendos. Çmimet këtu nuk i nënshtrohen konkurrencës, çmimet këtu caktohen, njoftohen!
Nëse duam të ndalojmë thellimin e pabarazisë, duhet të rikthejmë konkurrencën në tregjet kyç! E dyta, duhet të rishpërndajmë.
Rritja e çmimeve pa ndryshuar tatimet e taksat, po sjell të ardhura shtesë në arkën e shtetit, shumica paguar nga qytetarët për shkak të tvsh, akcizës etj., tatime e taksa konsumi. Dua ta sqaroj njëherë e mirë, i paguajnë qytetarët, biznesi i madh bën thjesht agjentin e qeverisë. Ndaj duhet të rishpërndajmë.
Dy rruge ka: përmes tatimeve e taksave, veçanërisht atyre që mbitatojnë konsumin, të ardhurat nga puna, uljes së tyre; përmes pagesave të drejtpërdrejta, mbrojtëse e rimbursuese për të varfrit dhe shtresën e mesme.
Të paktën, këtë herë barra e krizës nuk mund të përballohet nga të varfëritë e të mesmit. Tërmetin e pandeminë e paguan plotësisht ata; Kriza e çmimeve sado e përkohshme të jete, nuk duhet të pasurojë edhe më të pasurit, por të përballohet prej tyre.
Pa shtuar asnjë tatim për ta, por duke i bërë të paguajnë ndershmërisht atë që u takon, atë që e fshehin dhe qe i ka mbipasuruar!
Janë 100 vip-at tanë! Në kuvend javën e dytë të shtatorit ua thashë me emra e mbiemra, xhiro, fitim qesharak dhe tatim akoma dhe më qesharak të paguar.
Javën që shkoi Shtëpia e Bardhë publikoi një raport për nivelin e tatimeve të paguara nga 400 familjet më të pasura te Amerikës, jashtëzakonisht i ulët krahasuar me nivelin e tatimeve të punëtorëve.
E di, edhe une ashtu e mendoj, njësoj kudo, por ka një dallim: në SHBA për pabarazinë, padrejtësinë në pagesën e tatimeve, heton, analizon, gjykon, bën transparencë qeveria, flet ai që e drejton, Presidenti Biden!