MENU
klinika

Neoshqiptarizma

Branko Merxhani: Pse nuk jam marksist?

31.10.2021 - 12:01

          Shkrimi i mëposhtëm, i korifeut të publicistikës shqiptare – ikur nga Shqipëria, asokohe në përpjekjet për të dalë nga errësira e mesjetës në dritën e kohëve moderne, por pa zellin që zgjon ëndrra perëndimore (siç thërret autori) – si shumë të tjera të kolosëve të letrave shqipe, gjen terren edhe pas, thuajse një shekull ”përpëlitjeje shqiptare” …/Konica.al

Branko MERXHANI: PSE NUK JAM MARKSIST?
Pa një përpjekje të tillë nuk ka Shqipëri! Ndryshe le të përgatitim që tani trastat t’ona. Toka e Evropës u ngushtua shumë. Për parasitët vetëm një fat është shkruar: Pas prishjes primitive historike vjen katastrofa moderne historike. Dhe atëhere plaçkat në krah dhe mbeç t’u mirë o Vatan!

* * *

“Ideali i Evropës, methodhat e punimit t’evropës frymëzohen nga parimet e liris, të personalitetit, të varietetit dhe përmbi çdo gjë tjetër nga parimi i »ndarjes së punës shoqërore«. Dhe nga ky shkak të gjithë problemat që paraqet jeta shoqërore evropiane ose edhe e evropianizuarë, pa përjashtuar edhe problemin e ekuilibrit në Shtet, janë probleme të koklaviturë që s’mund të zgjidhen menjëherë. Një filosof engles shkruante pak kohë më parë: “Në se kohët janë të këqija, në se njerëzit mbetën pa punë, në se djemt nuk gjejnë gjë për të shuar urinë e tyre, Njerëzimi është sëmur. Emëri i vërtetë i kësaj sëmundjeje është injoranca”…

Ndryshimet shoqërore nuk mund të parashikohen as të shmangen. Gjithashtu edhe sëmundjet. Kjo është një nga të vërtetat e para që njeh bota. Të paktën Evropa ka disa shekuj që provoi në trupin e vet qënien dhe vuajtjen e kësaj së vërtete. Rusia u mundua shumë të përhapij gjëmimin revolucionar ndërkombëtar që prej kufivet të sajë perëndimore gjer në bregdetet e Atlantikut. S’bëri gjë. Ose bëri vetëm këtë: Thelloi më tepër hendekun e ngatresavet midis popujvet, madhëroi dallgën e mizerjes dhe në disa vënde të perëndimit shkaktoi një kthim qoftë edhe të përkohshëm në kohët mesjetare. Por a nuk do të ishin njohur dhe do të kishin arrijtur në një marrëveshje popujt midis tyre më lehtë në se rryma demokratike e Evropës do të kishte ndjekur rrugën e sajë pa patur vështirësirat që duallnë mu në gjirin e vet? Të paktën kemi para nesh një shëmbëll mjaftë me rëndësi që na jep besimin se popujt mund të kuptojnë shumë më mirë një Evropë të çliruar prej idherave të huaja: Asia sot arriti të kuptojë se methodhat e punimit evropian mund të zbatohen në çdo kënd të botës dhe të përdoren prej tërë popujvet; kudo që janë pranuar këto methodha suallnë përfundime të mira dhe të shkëlqyera. Kjo është e mjaftuarshme sot për sot. Është një çapë përpara. Një çapë që s’mund të mbetet e mbërthyer atje ku arriti. Do të vazhdojë edhe më përpara. Do të vijë dita në të cilën bota mbarë do të kuptojë më mirë parimet e Fesë së Lirisë, atë gjë që një Kant e quajti »Feja e Vërtetë«. Dhe ata nga bashkatdhetarët t’anë që kanë nëpër dejt e tyre disa pika gjaku fisnik dhe në shpirt ambicjen të punojnë dikur që të nxjerrin gërmadhën t’onë nga pellgu i varfëris mendore dhe i mizerjes lëndore, le të përpiqen të mësojnë përmënç dhe të çajnë në thellësit e zëmrave të tyre me një dorë që nuk dridhet para punës së tmerëshme që i pret, këtë varg të pavdekshëm të Goethe-s:

»Wer immer strebend sich bemuht,
Den können wir erlösen!«

(“Kush përpiqet pa rreshtur
Ai është shpëtuar!“)

(Faust, II, 7324-5)
Pa një përpjekje të tillë nuk ka Shqipëri! Ndryshe le të përgatitim që tani trastat t’ona. Toka e Evropës u ngushtua shumë. Për parasitët vetëm një fat është shkruar: Pas prishjes primitive historike vjen katastrofa moderne historike. Dhe atëhere plaçkat në krah dhe mbeç t’u mirë o Vatan!”

 

 

*Artikulli i drejtpërdrejtë nga Branko Merxhani: “Pse nuk jam marksist?”, u botua në periodikun “Përpjekja shqiptare”, në numrin 4-5-6, marsin e vitit 1937,  vit që shënoi botimin për së pari të revistës

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit