MENU
klinika

Kategoritë që do të vaksinohen të parat

Brenda tetorit nis doza e tretë, vaksinë edhe për fëmijët mbi 12 vjeç!

21.10.2021 - 10:23

Brenda këtij muaji do të nisë vaksinimi me dozën e tretë për personat mbi 60 vjeç, si edhe për kategoritë e riskut, siç janë ata që vuajnë nga sëmundjet kronike, si edhe ata që ndodhen në vijën e parë të përballjes me COVID-19.

Në këtë fazë të parë, tha anëtarja e Komitetit të Imunizimit, Aida Bushati, doza e rikujtesës do të aplikohet tek të gjithë ata të cilët kanë mbi 6 muaj që kanë injektuar dozën e dytë, duke nënkuptuar fashën e të vaksinuarve përgjatë 3 muajve të parë të vitit, përkatësisht në muajin janar, shkurt dhe mars. Bashkë me aplikimin e dozës së tretë do të nisë edhe vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjeç, të cilët vuajnë nga patologji të tjera që komprometojnë sistemin imunitar.

DOZA E TRETË

“Doza e rikujtesës do të kryhet 6 muaj pas bërjes së dozës se dytë të vaksinimit. Do ta kryejnë të gjithë personat mbi 60 vjeç dhe grupet e riskut, edhe ata që janë në vijën e parë që kanë kontakte më shumë njerëz dhe kanë mundësi shumë të lartë të infektimit”, tha mjekja Aida Bushati, anëtare e Komitetit të Imunizimit. Në mesin e të vaksinuarve që i takojnë kësaj fashe mund të ketë edhe nga ata të cilët kanë kaluar edhe sëmundjen. Doktoresha tha se doza përforcuese nuk ka asnjë efekt negativ, megjithatë nëse kanë mbrojtje imunitare, atëherë mund ta shtyjnë injektimin e dozës në një kohë të dytë. Edhe pse nuk ka ende një vendim përfundimtar, ekspertët janë duke e parë mundësinë e kombinimit të vaksinave. Kjo do të thotë që ata të cilët kanë aplikuar dy vaksina “Coronavac” mund të marrin një “Pfizer”. Lidhur me hapat që duhet të ndiqen, për personat që janë mbi 60 vjeç, për dozën përforcuese mund të paraqiten në pikat e vaksinimit me pasaportë vaksinimi, ndërsa për personat nën këtë moshë, që vuajnë nga sëmundje kronike apo malinje duhet që fillimisht të kontaktojnë me mjekun e familjes. “Nëse plotëson kriteret mbi 60 vjeç nuk ka nevojë për rekomandim, nëse je nën 60 vjeç atëherë duhet nga mjeku në qoftë se hyn në listën e sëmundjeve, sëmundjet hematologjike, sëmundjen e imunosuprimuar apo kushtet shëndetësore që i vë në rrezik”, tha më tej Bushati.

FËMIJËT

Shumë shpejt pritet të nis po ashtu edhe vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjeç. Vendimi ka kaluar në Komitetin e Imunizimit dhe shumë shpejt pritet të bëhet zyrtar. “Ne rekomandojmë që të bëjnë vaksinën grupet e riskut, fëmijët të cilët vuajnë nga patologji të sistemit imunitar apo që janë me patologji të tjera që komprometojnë sistemin imunitar. Këta fëmijë do të aplikojnë një dozë të vetme, për mbrojtjen ndaj COVID-19”, vuri në dukje një ditë më parë anëtarja e Komitetit të Imunizimit, Aida Bushati.