MENU
klinika

Retrospektivë

Brilanti Ismail Lulani rishtas në Tiranë

19.10.2021 - 16:56

         Prezantohet për herë të parë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, ekspozita retrospektivë e piktorit të njohur Ismail Lulani, një nga emrat më të mëdhenj të artit.

Në pikturën shqiptare, Lulani veçohet dhe vlerësohet si një kolorist ekspresiv i njollave me ngjyra potente, të ngrohta dhe plot dritë, që ndikoi në së bashku me D. Jukniun, S. Shijakun, S. Kamberin, E. Hilën, B. Ahmetin në modernizimin e pikturës shqiptare në vitet 1970 – 1990.

Veprat u sollën nën kujdesin e vajzës së tij Ormira Lulani dhe artistit Helidon Haliti, të cilët kanë kuruar çdo detaj të ekspozitës.

Haliti e cilësoi Ismail Lulanin, si krijuesin brilant, duke lënë pas mbi 1,800 vizatime.

“Si kurator, unë pa dyshim, shikoja Mirën që ndërtonte ditën, unë prishja natën. Pra, m’u desh të isha i ftohtë. Para 10 vitesh kemi arkivuar vizatimet e tij, që kanë shifrën 1,800 e ca dhe sigurisht, ajo diplomë që erdhi në hartë copë-copë, dhe unë bashkë me një mikun tonë të vyer, e kemi ngjitur, me thënë të drejtën, me ditë të tëra dhe erdhi diploma, zanafilla e kësaj ekspozitë. Pra, është një trung i madh, që shpërndan gjethet në të gjithë këtë ekspozitë, kryesisht të një vizatuesi brilant.

Ismail Lulani kishte një gjë më të veçantë se gjithë të tjerët për mua, kishte Ormira Lulanin, ishte ngjizja e tij artistike më e mirë, e cila me një këmbëngulje dhe pasion të jashtëzakonshëm, bëri që të më fuste dhe mua në atë vijueshmërinë, pikërisht të një kurimi të lirshëm dhe të imponuar ndërkohë që me shumë mirësjellje ndërtonte ditën e unë ia prishja p adyshim të nesërmen, sepse i thosha: Lulanin do ta lëmë një magji, nuk mundet ta ngarkojmë kaq shumë. Dhe aty, njeriu kupton dashurinë e çdo copëze”, – shprehet, Haliti.

Ai tha se shtëpia në Shkodër, duhet të kthehet në një muze që ai e ka lënë gati.

“Dua të jetë muze në Shkodër, secili nga artistët e mëdhenj, pa dyshim do të ketë muzeumet e tyre. Në një bisedë të shkurtër, profesor Shoshi tha edhe diktaturat kanë lindur gjeni të rinj, siç janë këta të vizatimit”, – u shpreh Haliti.

Vajza e piktorit, Ormira Lulani, e cila ka trashëguar prej të atit profesionin dhe talentin, nënvizoi forcën e jashtëzakonshme të artit që i bën artistët të pavdekshëm duke lënë pas një thesar të çmuar.

“Ndihem shumë mirë, për faktin që shoh kaq shumë njerëz, të cilët e duan dhe e respektojnë ose e nderojnë veprën e tim eti, dhe kjo do të thotë shumë për mua.

Në çdo cep të kësaj ekspozite, ju mund të shikoni shpirtin e Lulanit.

Unë, thjesht besoj fort në fuqinë e artit dhe duke besuar në fuqinë e artit, besoj shumë edhe në pavdeksinë e artistit. Dhe mendoj që im atë, shpirti i tij ndodhet këtu, bashkë me ju, sot”, – tha Ormira Lulani.

 Ekspozita mirëpret publikun kryeqytetas për një javë, për të shtegtuar më pas, nga Shkodra në Malin e Zi.