MENU
klinika

"Frenojeni Albin Kurtin"

Brnabiç kërkon reagim nga NATO

13.10.2021 - 12:37

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka kërkuar nga NATO që ta frenojë kryeministrin Albin Kurti, pasi policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion kundër kontrabandës me mallra në Mitrovicën e Jugut, atë të Veriut si dhe në rajonin e Prishtinës dhe Pejës.

Brnabiç ka reaguar pas këtij aksioni duke bërë thirrje që NATO dhe KFOR-i ta frenojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, shkruan B92, transmeton Gazeta Express.

“U bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar, NATO-s, KFOR-it që të reagojnë urgjentisht dhe ta frenojnë Albin Kurti. Situata është më shumë sesa dramatike dhe ky është momenti që duhet një reagim për të ndalur policinë e çmendur. Kjo sjellje ka tejkaluar të gjitha masat dhe na sjell në prag të kaosit”, ka thënë Brnabiç.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit ka zhvilluar një aksion në Rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Veriut, raporton Express.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se aksioni po realizohet kundër kontrabandës së mallrave./Express