MENU
klinika

"Vendi ka nevojë për Reformë Zgjedhore"

Celibashi paralajmëron kallëzime penale për komisionerët që tjetërsuan votën

28.10.2021 - 18:13

Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi u pyet sot nëse do të ketë padi për komisionarët që kanë tjetërsuar votat në 25 prill.

Në një prononcim për mediat ai tha se jemi në proces verifikimi dhe në fund pas identifikimit të shkeljeve, do të ketë sanksione administrative dhe kallëzime penale. Celibashi theksoi se Shqipëria ka nevojë për një reformë zgjedhore, duke shtuar se është pozitive iniciativa e opozitës dhe mbështetja e shumicës në këtë proces.

Do të ketë padi për komisionerët që kanë tjetërsuar votën?

Jemi në proces vlerësimi akoma të asaj se çfarë ka ndodhur gjatë procesit të numërimit të fletëve të votimit, në përfundim të këtij procesi, në rastet kur qartazi do të verifikohen shkelje të rënda të rregullave të procesit të numërimit fletëve të votimit normalisht që do të ketë sanksione të karakterit administrativ por edhe kallëzime për ndjekje penale kur këto shkelje tregojnë dukshëm qëllimin dhe interesin e numëruesve për të deformuar rezultatin e votimit.

Pyetje: PD ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Parlamentar për Reformë Zgjedhore. A ka nevojë Shqipëria që pas çdo zgjedhjesh të ket një Kod të ri?

Këtë herë ka nevojë për të kryer një Reformë Zgjedhore sepse edhe ODIHR sugjeron ndryshime në ligjin zgjedhor, por është e rëndësishme që ky proces të fillojë tani dhe është gjë e mirë që opozita e ka ndërmarrë këtë iniciativë dhe pozitive dhe që partia qeverisëse e ka mbështetur këtë iniciativë. Shpresojmë që procesi të finalizohet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe të mos jemi në pozitën e herëve të tjera kur reformat zgjedhore kanë përfunduar 4,5,6 apo qoftë edhe 1 vit para zgjedhjeve.

Pyetje: Në lidhje me Reformën Territoriale…

Reforma Territoriale iu përket si diskutim partive politike. KQZ nuk ka dhe nuk mund të ketë zë në këtë proces. Ka mendime të ndryshme në lidhje me organizimin e hartës administrative dhe si ajo duhet të jetë por le t’ia lëmë partive dhe qeverisë diskutimin për këtë çështje, sikurse thashë meqenëse kjo lidhet edhe me Reformën Zgjedhore sa më shpejt të mbyllet ky proces është më mirë, pasi ka ndikim, jo të drejtpërdrejtë por ka ndikim në Reformën Zgjedhore.