MENU
klinika

Gojëdhënë, a magjepsje?

Dashuri e ndarë më tresh… Berati!

05.10.2021 - 17:21

         Berati, është një nga ato pak qytete, që flasin edhe në heshtje!

I gdhendur në kujtesë, me ngjarjet, objektet, rrugët, malet, kodrat që rrethojnë qytetin, lumin me muzikën si shushurimë e lehtë dhe e përjetëshme, njerëzit e të afërmit, disa prej të cilëve nuk janë më… lagjet, rrugicat e kalldrëmta, dyert e shtëpive, shkolla… – thonë se të magjeps!
Kur ecim nëpër labirinthet e Mangalemit, mbi gurët e sokakut, që sipas këngës beratase…”bëjnë shiqajet”… zhytemi në vorbullën e ngjarjeve të dikurshme, kthehemi në kohën e fëmijërisë, bashkëbisedojmë për gojëdhënën e lindjes së këtij qyteti.

Sipas legjendës, Tomori dhe Shpiragu, dy vëllezër, ndoshta shokë, miq, apo të panjohur, dy djem apo burra trima, ranë në dashuri me të njëjtën vajzë, Kalanë. Meqenëse ajo nuk zgjodhi dot, ata vendosën të ndeshen midis tyre, në dyluftim. Kush do fitonte, merrte Kalanë, gjë normale për kodet e zakonet e kohës s’atëhershme!

Tomori me shpatë dhe Shpiragu me topuz u përleshën deri në fund, por humbën që të dy, ndoshta ngelën të vrarë nga plagët e marra; mbase prej lutjeve të Kalasë, për mëshirë apo dënim, Zoti i shndërroi dy trimat në male të lartë, njërin me gropa-gropa, tjetrin vija-vija dhe Kalanë, në një kodër-kështjellë, në mes tyre. Rrethuar prej këtyre dy maleve, midis Tomorrit dhe Shpiragut, shtrihet Berati, me Kalanë e bukur dhe plot hijeshi që mbretëron qytetin, përshkuar nga një lumë, Osumi që lindi prej lotëve të saj.

Këtë gojëdhënë e mësonim që të vegjël në foshnjore, sidomos kur filluam të shkonim te Muzeu i qytetit, rrëzë Mangalemit, përballë shkollës. Që në hyrje, në hollin e Muzeut, ndodhej një maket i madh i Beratit me dy malet, kalanë, lagjet, lumin dhe rrethinat me kodra plot ullinj. Ciceroni, talent i lindur, e tregonte aq bukur legjendën e dyluftimit dhe ngurtësimin e dy vëllezërve, sa neve na dukej jo një përrallë, por ngjarje e vërtetë! Sigurisht, pjesën se kush i ngurtësoi, e kalonte në heshtje! Zoti atëherë zor se mund të përmendej lehtë, por për ne fëmijët, kjo gojëdhënë ngelej një çudi, e bukur si ato të përrallave!

Më pas, gjykonim, pse u ngurtësuan, për virtut apo për mëkatin e tyre?! Vallë, Tomori me Shpiragun u shndërruan në male të përjetshëm, si shpërblim për trimërinë, apo dënim për dyluftimin vrasës?!

Këto pyetje na çonin në udhëkryqe të ngatërruara, të vështira për ne, në atë moshë!

Kur mësuam ç’ishin gojëdhënat, kuptuam më mirë përmbajtjen e tyre dhe përgjigjet për dyshimet tona.

Në çdo legjendë, duhet të ketë në themel një tregim, ngjarje të vërtetë ose të sajuar, që të ketë një zgjidhje domethënëse! Sepse, ngaqë nuk mund të gjejnë një zgjidhje të lehtë, prandaj kanë shumë forcë dhe jetëgjatësi legjendat. Në to, mpleksen me fije plot ngjyra, të gjitha ndjenjat e tiparet njerëzore, karakteri, dashuria, burrëria, morali, drejtësia…

Konkretisht, a kishte zgjidhje Kalaja, simboli i një vajze të brishtë, fisnike, që ajo të mund të ndalonte një fund tragjik? Nëse do kishte zgjedhur njërin prej trimave, atëherë do kishim një ngjarje të zakonshme, jo një legjendë! Po ashtu, nëse njëri prej trimave do vritej ose do tërhiqej, përsëri drama e tyre s’do të bëhej legjendë!

Dilema e Kalasë është guri i themelit të kësaj rrëfenje, e cila nuk mund të gjente dot rrugëdalje!

Por, gojëdhëna e qytetit të Beratit, ndryshe nga shumë legjenda të tjera, ka edhe diçka plus, të veçantë, të vërtetën natyrore. Legjenda e murosjes, për ndërtimin e kështjellës së Rozafës ose, e urës së gurtë të Goricës, bazohen në krijimin dhe fantazinë popullore, të shkruar ose kënduar si dramë tragjike, duke flijuar një njeri, nuse apo virgjëreshë. Legjenda e Beratit, gjëndet në natyrë e gatshme, e vetëshkruar, thjesht duhet lexuar! Dy male, i madhi plot gropa, më i vogli me vija dhe prerje; mes tyre një kodër, ku mbretëron një kështjellë, me mure të lashtë rrethuar, poshtë, një lumë që përshkon përmes qytetin, i cili sikur lidh tre personazhet, kinse me njëri-tjetrin në këtë ndodhi!

Të tillë formë i ka dhënë natyra këtij vendi, e ka shkruar me dorën e vet gojëdhënën, jo me gërma, por figurative, jo me penelin e fantazinë e artistit, por me objekte reale! Natyra ka bërë një mrekulli! Mjafton një vizitor, të ngjitet në tabjen e madhe të Kalasë dhe të shohë kështjellën, qytetin, lumin dhe dy malet hijerëndë që e vështrojnë!

Prandaj jo rastësisht, lindja e këtij qyteti përshkruhet me këtë dramë, jo një krijim por pasqyrim i një peizazhi fantastik, sikur lexon një trill të natyrës, një ndërthurje tragjike fatesh njerëzore, në emër të virtuteve më të larta të kohëve mitologjike!

Prandaj, legjenda e Beratit është po kaq e përjetshme, sa edhe vetë natyra dhe sa do ketë njerëz ta lexojnë atë!

Pyetjes, se përse duhej të dyluftonin këta dy “të marrë”, me mentalitetin e sotëm, nuk do t’ia gjejmë dot përgjigjen?! Ndryshe, bie fabula, morali apo mesazhi i saj, pra bie edhe vetë legjenda! Bashkë me të, bie edhe vetë  pyetja!

Kalaja do vazhdojë këngën e vet e t’i derdhë lotët lumë. Ndërsa lumi, edhe pse nuk utrin si dikur kur “laheshin djemtë e Goricës, Mangalemit e Kalasë”, me fëshfërimën e vet do ta shoqërojë atë përjetësisht!

Po ne?!

Më e pakta, t’ua përcjellim brezave, siç na i lanë!

 

Stavri Sinjari
Shtator, 2021

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit