MENU
klinika

Nga familjet që marrin apartament direkt, tek ato që do të ndahen me short

Dëmet e tërmetit/ Tri vendimet e qeverisë për rindërtimin

28.10.2021 - 09:50

Në prag të 2-vjetorit nga tërmeti shkatërrimtar që la shumë familje pa një çati mbi krye, qeveria i ka dhënë një hov të ri procedurës së rindërtimit.

Ishte numri 2 i qeverisë, zv.kryeministri Arben Ahmetaj, ai që ndau një ditë më parë planin e qeverisë për mënyrën se si do të ndahet fondi i banesave të përfunduara, si dhe kur do të kopsitet i gjithë procesi i rindërtimit.

AHMETAJ

“Janë tri vendime që kanë të bëjnë me procesin e rindërtimit. Dy nga vendimet praktikisht akordojnë fonde për Bashkinë e Tiranës për përshpejtimin e procesit të rindërtimit qoftë te “5 Maji”, qoftë në Kombinat, qoftë me infrastrukturën publike. Një vendim tjetër po kaq i rëndësishëm ka të bëjë me hapjen e rrugës së shpronësimit me shkëmbim në Bashkinë e Vorës për të njëjtën arsye, pra përshpejtimin e procesit të rindërtimit”, artikuloi Ahmetaj në fjalën e mbajtur direkt pas mbledhjes së qeverisë.

Një lajm të mirë dha edhe për shkollat në proces rindërtimi, të cilat kalojnë në pronësi të bashkive. Njëjtë do të veprohet edhe me banesat që do të ndahen, të cilat do të mbajnë pronësinë e poseduesve.

“Sapo filloi kalimi i shkollave në pronësi të bashkive. Sapo kemi miratuar që një numër i madh shkollash të ndërtuara nga rindërtimi t’u kalojnë qytetarëve, fëmijëve dhe bashkive për t’u menaxhuar. Ky muaj është shumë i rëndësishëm për familjet e dëmtuara. Ne kemi vendosur të kalojmë në pronësi të plotë të familjeve të dëmtuara shumë njësi individuale dhe apartamente”.

SHPËRNDARJA

Në dyvjetorin e tërmetit, por jo që kur nisi rindërtimi, qeveria ka vendosur të komunikojë se si do të bëhet ndarja e atyre banesave që kanë përfunduar tashmë. Bëhet fjalë për 1050 çelësa apartamentesh që do të jepen jo kuturu, por sipas një grafiku.

Të parët që do të rehabilitohen janë familjet më në nevojë. Praktikisht, ata që trajtohen me ndihmë ekonomike, nënat kryefamiljare, familje që drejtohen nga pensionistë apo familjet e policëve të vrarë.

Kategoritë e mësipërme, shton Ahmetaj, do të kenë prioritet. Pjesa e mbetur e apartamenteve do të ndahen me short publik, përgjegjësi që ia ngarkon pushtetit vendor.

“Lista prioritare ka të bëjë me disa kategori në nevojë, që nga familjet me ndihmë ekonomike, familje me nëna kryefamiljare, me pensionistë të vetmuar, familjet e policëve të rënë në krye të detyrës etj. Ndërsa për pjesën tjetër të qytetarëve, mënyra se si do të shpërndahen apartamentet do të jetë me short publik, transparent, që do të zhvillohen nga njësitë vendore, pra një short publik. Që do të thotë se qytetarët që do të përfitojnë apartamente apo njësi individuale do të jenë përballë shortit publik ku do të përputhet vlerësimi i shpërblimit për ta me apartamentet e ndërtuara kohë pas kohe. Të gjitha familjet do të jenë përballë një procesi shumë transparent dhe publik, në mënyrë që asnjë nga qytetarët të mos vendosë pikëpyetje për procesin, por përkundrazi, duke parë transparencë dhe mënyrën e shortimit, të jetë i bindur që ka marrë atë që i takon”, deklaroi zv.kryeministri duke shtuar më tej se deri në fund të shtatorit të vitit që vjen do të jenë ndarë të gjitha njësitë e rindërtuara nga e para.

Lagjja e re te “5 Maji”, Bashkia: Kompensim të plotë për banorët

Bashkia e Tiranës ka nënshkruar kontratën me banorët e lagjes “5 Maji” në kryeqytet, përmes së cilës garantohet kompensim i plotë për ata që preken nga ndërtimi i lagjes së re në këtë zonë. Burime pranë pushtetit vendor thonë se janë shtuar ritmet e punës në këtë lagje për ndërtimin e pallateve ku do të strehohen familjet, shtëpitë e të cilave pësuan dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019- ës.

Bashkia e Tiranës bën me dije se ka gjetur dakordësimin e një numri banorësh të cilët kanë plotësuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për t’u pajisur me shtëpi bazuar në VKM-në e qeverisë të miratuar në shtator të këtij viti, përmes procesit të kompensimit përmes shkëmbimit. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës po vijon edhe me nënshkrimin e kontratave me banorët e zonës, sipas asaj çfarë parashikon VKM-ja.

“Në bazë të vendimit të miratuar nga qeveria, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re. Po kështu, poseduesit e banesave në proces legalizimi tashmë do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë në godinat e reja që po ngrihen në të njëjtën zonë”.

Për të lehtësuar këtë periudhë, Bashkia ka marrë përsipër edhe dhënien e bonusit të qirasë për banorët që preken, derisa ata të marrin në dorë çelësat e banesave të reja. “Gjatë periudhës së zbatimit të projektit (përfundimin e punimeve), qytetarët nëse nuk kanë në pronësi ose në posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet programeve të rindërtimit”, citohet në vendimin e qeverisë.

Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka miratuar tashmë në Këshillin Bashkiak procedurën që do të ndjekin strukturat e saj për të gjithë këtë kategori përfituesish. Lagjja e re “5 Maji” do të kthehet në një qendër të re urbane për plot 11 mijë banorë, me apartamente cilësore, njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe, godina institucionesh, parqe.