MENU
klinika

“Në Sarajevë ndihem si derrkuc në Teheran”

Der Spiegel: Kujdes, në Ballkan kërcënon një konflikt i ri

23.10.2021 - 21:53

“Në Sarajevë ndihem si derrkuc në Teheran”, kështu thotë Milorad Dodik, lideri i serbëve të Bosnjës dhe anëtar i kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës. Ai kërcënon prej vitesh se do të shkatërrojë shtetin më fragjil të Ballkanit. Ai mban lidhje të ngushta me Vladimir Putinin. Oligarku rus Konstantin Mallofejev udhëton rregullisht para zgjedhjeve në “republikën serbe” të Bosnjës. Kozakë nga Rusia vizitojnë entitetin serb në Bosnjë.

Mediat lokale raportojnë se të rinj serbë nga Bosnja ushtrojnë në kampe ruse. Javën që po shkon Millorad Dodik solli në zyrën e tij në presidencën e Bosnjës në Sarajevë një fizarmonicist, i cili këndoi këngë folklorike serbe, kuptohet me tone nacionaliste – dhe krahas këngëve rrodhi edhe rakia. Dodik ka paralajmëruar se do të bllokojë kazermat e armatës së përbashkët të Bosnjës, do të dëbojë prokurorët dhe gjykatësit e shtetit të përbashkët, do të marrë kompetencat për mbledhjen e tatimeve.

Këto e kanë shtyrë revistën gjermane “Der Spiegel” të alarmojë opinionin gjerman me titullin: “Kujdes, në Ballkan kërcënon një konflikt i ri”. Sipas “Der Spiegel” çfarë po ndodh në Ballkan mund të ketë pasoja dramatike për Europën. Rajoni nuk është para shpërthimit të luftës, por ngjarjet janë kërcënuese: në Bosnjë lideri i serbëve Millorad Dodik synon të hedh poshtë rendin e pasluftës dhe ta shkëpus pjesën e dominuar nga serbët, shkruan “Der Spiegel”.

Revista gjermane kritikon ashpër Bashkimin Europian, duke akuzuar se faktikisht nuk është i pranishëm në Ballkan. BE, sipas “Der Spiegel”, në rajon nuk bën asgjë, nuk ka plan, nuk ka as politikë. Kjo do t’i hakmerret BE-së. “Sepse së pari politika e jashtme e BE-së është përgjithmonë është komplet jokredibile nëse as në Ballkan nuk mund të bëjë diçka – dhe atje toleron Rusinë dhe Kinën të veprojnë.

Fakti që BE nuk po i ofron kurrfarë perspektive vendeve të Ballkanit, ndikon në acarimin e këtyre ditëve. Dhe së dyti: pasojat për pjesën tjetër të Europës as që mund të merren me mend nëse atje sërish do të ketë përballje të armatosura. Kjo s’mund të përjashtohet”, paralajmëron “Der Spiegel”.(E.Robelli)