MENU
klinika

Ultimatumi

Dështon afati Rama, asnjë zyrtar i policisë i proceduar

15.10.2021 - 15:41

Me një ultimatum të bërë në 8 korrik, kreu i qeverisë Edi Rama kërkoi identifikimin dhe çuarjen para drejtësisë të të gjithë efektivëve që shkelin ligjin.

Por, çfarë ndodhi në këto 100 ditë? 10 ditë para përfundimit të këtij afati, teksa nuk pati asnjë efektiv të shkarkohej nga detyra e të përballej me ligjin, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu vendosi të lërë detyrën. Ai i kërkoi Ramës t’i pranojë dorëheqjen. Si argument tha se duhet t’i qëndrojë sa më afër familjes. Në vend të tij u emërua Gledis Nano.

Postin si drejtues të kupolës së Policisë së Shtetit, Veliu vendosi ta lërë pak ditë pasi në Vain, në Ishull-Lezhë, Aldi Rama vrau efektivin Saimir Hoxha. Ngjarja ndodhi pasi bashkë me dy kolegë të tjerë, Hoxha po kthehej nga një aksion për sekuestrimin e një parcele me kanabis. Fenomeni i drogës në vendin tonë, duket se vijon të jetë ende aktiv. Mesditën e 4 tetorit, në Vermosh të Malësisë së Madhe rrëzohet një avion i cili vinte nga Mali i Zi. Ky avion dyshohet se po trafikonte drogë dhe dyshohet se u rrëzua për shkak të mbipeshës.

Gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar as ngjarjet kriminale. Në 100 ditë ndodhën 12 vrasje në të gjithë vendin që shkaktuan 13 viktima. 3 prej tyre janë atentate mafioze, të cilat vijojnë të jenë ende të pazbardhura nga policia. Pjesa tjetër janë krime në familje dhe ngjarje për motive të dobëta e banale.

Në afatin 100 ditor nuk pati asnjë zyrtar policie të proceduar ndërsa ngjarjet kriminale erdhën në rritje. Përballë këtyre fakteve, u zgjodh të largohej drejtori i policisë, Ardi Veliu. Ministri Bledi Çuçi u pyet nga gazetarët për afatin e lënë nga kryeministri. Ai iu shmang përgjigjes konkrete duke folur sërish për premtime.