MENU
klinika

Lushnje

Dhunoi tregtarin e fruta-perimeve, pezullohet nga detyra efektivi i policisë

28.10.2021 - 18:12

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe ankesave ka pezulluar nga detyra, punonjësin e policisë në Lushnje, i cili tre ditë më parë dhunoi një tregtar të fruta-perimeve.

Sipas SHÇBA-së, për punonjësin e policisë është caktuar masa e sigurimit personal, “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

Ai akuzohet për veprën penale “Kryerje e veprimeve arbitrare”.

Njoftimi i SHCBA

Lushnje – Pezullohet punonjësi i Policisë për veprime arbitrare

SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, më datë 28.10.2021 ka ekzekutuar vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë në Komisariatin e Policisë Lushnje, Inspektor B.SH.

Hetimi në bashkëpunim të ngushtë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnje për veprën penale “Kryerje e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal, pas ankesës së shtetasit A.H., i cili ka deklaruar se është dhunuar nga punonjës policie në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës”, Lushnje. Hetimet po vijojnë.

DENONCIMI

Tre dite me pare, Amarildo Hoxha, një tregtar i fruta perimeve nga Elbasani denoncoi publikisht një rast të dhunës të ushtruar ndaj tij nga uniformat blu. Hoxha përmes një prononcimi për media ka deklaruar se ai gjatë orëve të para të shtunës po udhëtonte nga Fieri Në drejtim të Elbasanit me furgonin e tij të mallrave.

28-vjeçari thotë se kur u ndalua nga policet kishte vendosur ne makine telefonin e tij e po filmonte live udhëtimin. Sipas të riut, 2 efektivët që e ndaluan i kërkuan dokumentet dhe i kërkuan telefonin duke e dhunuar nga frika se ishte duke filmuar ata.

Kjo sipas tij ishte dhe pikënisja e dhunës së ushtruar ndaj tij, ku dy efektivët e qëlluan me grushte në fytyre, si dhe i thyen telefonin në kokë.

Hoxha kërkon drejtësi për rastin e tij dhe marrjen e masave ndaj policëve të cilët e keqtrajtuan, pasi është dhunuar me të padrejtë nga ana e tyre.

“Vija nga Fieri, këtu ishin policët, nxorën tabelën dhe më thanë hap krahun, më jep patentën, lejen e qarkullimit. Të gjitha dokumentet e mjetit ia dhashë. Në kroskot të makinës kisha telefonin, që po dëgjoja muzikë dhe po bëja(video) live nga Fieri aty. Polici e pa atë (telefonin) dhe tha: “Do më heqësh nga puna mua ti” dhe filloi me të ofenduar, me të sharë. “Ma jep telefonin” tha, para se të godiste. Unë nuk ia dhashë telefonin, ai filloi të më godiste (xhamin e kisha të hapur) në kokë bam bam këtu dhe në sy. Hapi derën me zor, më shqeu dhe bluzën, kemi pamje për këtë. Mori telefonin dhe më binte me telefon në kokë dhe më shante. Tjetri erdhi me vrap të mbante atë policin pse më godite mua: “Çfarë  ka tha.” ‘Me video do më heqë nga puna”, th ai dhe vetëm godiste. Më mori dhe zvarrë dhe më ka goditur deri atje te tabela bam me shkelma, sepse nuk i hipa në furgon. Më hipi lart në furgon, më kyçi, mori makinën  time dhe iku”, ka deklaruar mes të tjerash i riu.

Kujtojmë se nga ana e oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë janë administruar kallëzimet e punonjësve të Policisë, kallëzimi i 28-vjeçarit Amarildo Hoxha, këqyrja dhe vendimi i ekspertimit mjeko-ligjor për të. Në lidhje me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, për të dërguar një grup pune në Komisariatin e Policisë Lushnjë, me qëllim verifikimin e rastit dhe nisjen e hetimit disiplinor në rast se konstatohet tejkalim i kompetencave të punonjësve të Policisë në kryerjen e detyrës.

Kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës

Gjykata e Lartë merr vendimin për Fredi Belerin

Arrestohet disa orë pas daljes nga burgu “Buzëderri”!

Sokol Simonati përfitoi nga amnistia, por…

"Të rikthehen koalicionet dhe lista të hapura"

Bylykbashi prezanton qëndrimin për reformën zgjedhore