MENU
klinika

Fan Noli për ''Dielli''

Fati i palumtur i Shqipërisë është më i keq se ai i Belgjikës

13.10.2021 - 16:42

        Nëntë vjet më parë ua proponoj shqiptarëve të Amerikës Faik be Konica, me anë të Lef Nosit. Aherë nuk bëhej, se s’kishte shoqërira shqiptare me para. Sot munt të vihet në punë, në mos ashtu siç e proponon korispondenti inglis, të paktën në një tjatër formë, në mos një komitet në Londër dhe një në Vjenë a në Berlin. Kryetari i “Vatrës”, në u zgjedhtë nonjë njeri i zoti dhe i ditur, munt të përfaqësonjë jo zyrtarisht Shqipërinë pranë Shteteve të Bashkuara që është e vetëma Fuqi e Madhe neutrale./Konica.al

Ja gjëra që duhen menduar dhe duhen bërë. Ja rasja për “Vatrën” dhe për anëtarët e saj të zënë një vënt të shkëlqyer në histori të Shqipërisë.

 

Botuar në “Dielli”, 1915, 2 qershor, Nr. 445.

Nënshkruar: F. S. Noli.

ALBANIA – NOVEMBER 09: Portrait Of The Bishop Fan S. Noli In Albania On November 9, 1924. This Prelate Founded The Albanian Autocephalous Church After Having Lived In The United States. He Became Bishop Of Valona, Then A Deputy, Then Prime Minister (1924-1925) Of Albania. (Photo by Keystone-France/Gamma-Keystone via Getty Images)

Fati i palumtur i Shqipërisë është më i keq se ai i Belgjikës

 

Tradhëtia ndaj këtij vendi të vogël dhe vuajtjet e popullit të tij të vogël të patundur njihen pak prej botës.

      Soufre et meurs sans parler.*

Alfred de Vigny

 

 

* Vuaj dhe vdis në heshtje (përkthim i red.)

 

Shqipëria është një nga viktimat më të cfilitura dhe më të pambrojtura të Luftës Botërore. Megjithëse e panjohur prej opinionit të përgjithshëm amerikan, Shqipëria është ndër ato vende në mbarë Evropën, që po pagon çmimin më të lartë në këtë luftë. Austria, Italia, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia hahen midis tyre për rripin e ngushtë të vendit gjatë bregdetit lindor të Adritatikut. Së këndejmi mund të ishte me interes për amerikanët që të njiheshin me disa fakte lidhur me Shqipërinë.

Shqiptarët, siç e quajnë veten ata, janë raca më e vjetër e Evropës. Ata janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirianëve dhe të maqedonëve të vjetër. Aleksandri i Madh, Pirroja, mbreti i Eipirit, Ptolemeu i Egjiptit, perandori Diokletian i Romës dhe Konstrantini i Madh janë ndër stërgjyshërit e tyre. Kjo racë luftëtarësh ka mundur të ekzistojë në Gadishullin Ballkanik për më tepër se 4000 vjet, në një kohë kur të gjithë racat përreth u helenizuan, u latinizuan ose u sllavizuan. Gjuha e tyre është një nga ato gjuhë të herëshme të Ballkanit që mbijetuan që nga koha e Homerit.

Dyndjet e romakëve, gotëve, sllavëve, venecianëve dhe, më në fund, të turqëve vërshuan në viset anësore të tokës shqiptare dhe, megjithëse e shkelën pjesërisht, asnjëherë nuk e pushtuan plotësisht. Populli i këtij vendi nuk u përzje nëpërmjet martesash me pushtuesit dhe as u asimilua prej tyre. Kur turqit depërtuan në Gadishullin Ballkanik, heroi kombëtar i madh  i racës shqiptare, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me një grush heronjsh theu hordhitë osmane nga viti 1444 deri më 1466. Pas vdekjes së tij, Shqipëria u bë pjesë e Perandorisë turke dhe mbeti e tillë deri më 1912.

Nga popullsia e sotme shqiptare, ata që e konsiderojnë Shqipërinë atdheun e tyre të ligjshëm, numërohen rreth 2.500 000 njerëz. Nga këta më pak se 1.000 000 u përfshinë brenda kufive të shtetit të pavarur shqiptar të krijuar prej përfaqësuesve të Evropës, që u mblodhën në Konferencën e Londrës më 1913, kurse pjesët më të mira të territorit shqiptar, me më tepër se 1.500 000 banorë shqiptarë, u copëtuan dhe iu dhanë Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë. Shqiptarët që nga kohë e Skënderbeut i përkasin ritit katolik, por nën sundimin turk, shumë u islamizuan. Tashti të gjithë malësorët e Veriut janë katolik, ndërsa në Jug është përhapur gjerësisht riti ortodoks. Megjithatë ndryshimet fetare nuk trazohen me ndjenjat kombëtare, sepse shqiptari mbi të gjitha krenohet se është shqiptar.

 

Një komb luftëtarësh

 

Përveç uletësirave ku pushtimi i huaj ka prishur dhe dobësuar meshkujt, populli shqiptar është një komb luftëtarësh, ndoshta aq trim, krenar dhe guximtar sa asnjë tjetër komb në botë. Bajroni ka shprehur admirimin e tij për besnikërinë  e tyre.

Fierce are Albania’s children yet they lack

Not virtues, were those virtues more mature.

Where is the foe that ever saw theri back?

Their native fastnesse not more recure

Than they in doubtful time of troublous need

Their wrath how deadly their friendship

When gratitude or valor bids them bleed sure

Unashaken, rushing on where’er their chief may lead.

Aq i madh ishte admirimi i Bajronit për këtë popull, sa Shelli e thërriste me nofkën “Albi”.

Virhovi5, antropologu gjerman me famë botërore, i quante shqiptarët racë superiore dhe Henri Noeil Breillsfëd (Henry Noel Brailsfod)6, një autoritet për çështjet ballkanike, ishte i mendimit se kishte gjetur të shqiptarët idealin e Mbinjeriut të Niçes. Miku ynë i shquar dhe i mirënjohur burrë shteti, zoti Xhosh Fred Uilljëms (George Fred Williams)7 në e tij për Shqipërinë “The Shkypetars”, shkruante kështu për ta: “Ata janë popull krenar, që e mbajnë kryet lartë. Pa dyshim është një racë që nuk ka frikë dhe nuk përulet. Trimëria e tyre nuk ka kufi, ata i bëjnë ballë vdekjes dhe torturës pa iu dridhur syri, fjala e tyre e nderit është më e shenjtë se besa e popujve të qytetëruar, mikpritja e tyre shkon deri aty sa të harxhojnë gjithçka që kanë; virtytit i grave të tyre është tradicional; në asnjë vend në botë gruaja nuk është kaq e mbrojtur nga fyerjet, ai që prek një femër quhet i poshtër.” Për të plotësuar këtë pikturë të gruas shqiptare, mund të shtoj se asgjëkundi, përveç Ballkanit, gruaja nuk konsiderohet e barabartë me burrin. Për këtë arsye myslimanizmi dështoi kur deshte të fuste poligaminë në Shqipëri.

 

E do pavarësinë

 

Shqiptari mbi të gjitha do lirinë dhe pavarësinë. Ai nuk u nështrua prej romakëve dhe është i vetmi nga racat e Ballkanit që nuk iu përkul Turkut; për të mos u bërë skllav ndryshoi fenë nga nevoja dhe humbi kështu parajsën. Ky tipar i shqiptarëve shpjegon faktin që shumë prej tyre përqafuan frenë e turqëve. “Feja ime është shpata”, thotë një proverb shqiptar. Historia e Shqipërisë nën sundimin turk është një zinxhir i gjatë kryengritjesh dhe gjakderdhjesh. Luftës Ballkanike të vitit 1912 i paraprinë tri kryengritje shqiptare që u mbytën në gjak dhe kryengritja e fundit që përfundoi  me sukses i detyroi turqit t’i japin autonominë Shqipërisë, të lejojnë hapjen e shkollave kombëtare shqipe, të cilat më parë ishin të ndalura dhe të njohin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Shqipëri. Po pikërisht, në momentin kur Sifizi shqiptar arriti në majën e malit, Lufta Ballkanike e përmbysi atë dhe Shqipëria u pushtua prej zaptuesve të rinj, akoma më të këqinj se turqit. Këtu nis tragjedia.

Nga pikëpamja ndërkombëtare Shqipëria paraqet probleme, madje më të largëta për t’u arritur, se ato që paraqesin shtetet e tjera të Ballkanit, kryesisht për arsye të situtatës së saj gjegrafike. Ajo shtrihet gjatë bregut lindor të detit Adriatik, përballë Italisë, duke pasur në Veri Malin e Zi, në Lindje Serbinë dhe në Jug Greqinë. Zotëron dy porte madhështore, Durrësin dhe Vlorën, me vlerë tregtare dhe ushtarake që nuk mund të mbiçmohet. Nga pikëpamja e ekspertëve ushtarakë Vlora vështrohet si çelsi i detit Adriatik. Për dy fuqitë e mëdha të Adriatikut, Austrinë dhe Italinë, kontrolli i bregdetit shqiptar ka rëndësi jetësore. Që të dy ato me ç’prisnin që ta pushtonin Shqipërinë për të përmirësuar gjendjen e tyre në Adriatik ose, po të mos ia arrinin kësaj, të parandalonin njëri-tjetrin ose ndonjë tjetër nga ata që donin ta fusnin në dorë objektin që aspironin vetë. Më 1910 kur Shqipëria ishte ende provincë turke, Austria dhe Italia përfunduan një marrëveshje lidhur me statusin e ardhëm të Shqipërisë në rast të ndryshimit të status quos-s Turqinë evropiane.

Të dy fuqitë dhanë garanci se hiqnin dorë prej Shqipërisë dhe vendosën që ajo të bëhet shtet i pavarur.

Fqinjë lakmitarë

Përveç Austrisë dhe Italisë, shtetet fqinjë të Ballkanit, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia pretendojnë secili një pjesë të Shqipërisë. Gjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912, këto tri shtete zaptuan Shqipërinë dhe deklaruan në mënyrë solemne që kishin për qëllim të qëndronin atje sepse në fillim të luftës kishin shpallur se synimi i tyre ishte çlirmi i racave të Ballkanit prej zgjedhës turke, prapë ata mendonin se kjo përputhje me rolin e tyre si çlirimtarë zhdukjen e kombit shqiptar dhe copëtimin e tokës së tij. Por Fuqitë evropiane, me kërkesën e Austrisë dhe të Italisë, vendosën në Konferencën e Londrës më 1913 që Shqipëria të bëhej shtet i pavarur dhe sovran nën një princ evropian dhe detyruan Serbinë, Greqinë dhe Malin e Zi të tërhiqeshin prej viseve që i përkisnin shtetit të ri. Serbia dhe Mali i Zi iu bindën pa dëshirë; Greqia e tërhoqi ushtrinë e saj nga Shqipëria i Jugut, pas inskenimit të komedisë së përgjakshme të së ashtuquajturës qeveri autonome të Epirit (Shqipëria e Jugut)8, të cilën ajo e përkrahte me para, topa dhe armatime. Kur princ Vidi zbriti në Durrës për t’u vënë në krye të shtetit të ri, atij iu desh të shtypte këta kryengritës të turpshëm, që vepronin në urdhërat e drejtpërdrejta të qeverisë greke. Gati në të njejtën kohë një kryengritje tjetër e nxitur prej Serbisë dhe e inkurajuar dhe e finalncuar prej disa fuqive evropiane, shpërtheu në Shqipërinë qendrore9. Princ Vilhelm Vidi nuk kishte ushtri të shpartallonte asnjërën prej këtyre kryengritjeve, as para për të krijuar një ushtëri dhe makina qeveritare u shkatërrua shpejt. Evropa e braktisi atë në fatin e vet. Ai u shtërngua t’ia mbathte nga Durrësi më 3 shtator 1914, pas një mbretërimi prej gjashtë muajsh dhe Shqipëria mbeti pa qeveri.

E pushtuar prej grekëve

Disa patriotë shqiptarë u mblodhën në Shkodër, organizuan një qeveri provizore dhe do të kishin mundur megjithatë të përballonin gjendjen e vështirë, po të ishin lënë të qetë. Por shpejt pas largimi të princit Vilhelm, forcat greke pushtuan sërish Shqipërinë e Jugut, Italia zaptoi Vlorën dhe më pas Serbët dhe Malazezët bën të njëjtën gjë dhe pushtuan sërish Shqipërinë qendrore dhe veriore, prej ku ato kishin qenë përzënë prej Fuqive evropiane para dy vjetësh. Pushtimi i Shqipërisë prej këtyre shteteve të Ballkanit u shoqërua me mizori të pashëmbëllta kundër popullsisë shqiptare të paarmatosur. Qindra mijë barinjë dhe bujq, burra, gra dhe fëmijë u dëbuan ose u masakruan. Fshatrat e tyre u dogjën dhe u poqën, ekonomitë e tyre u shkatërruan, kopetë e bagëtive u grabitën. Dimrin që shkoi më tepër se 100 000 refugjatë prej Shqipërisë së Jugut u grumbulluan vetëm në Vlorë, Lia bëri kërdinë në këta refugjatë të pashpresë, të pambrojtur dhe të sfilitur. Sipas njoftimeve që nga ajo kohë gjysma e tyre ka vdekur nga uria dhe nga fatkeqësitë. Nuk dimë asgjë për fatin e atyreve që morën malet. Në pranverë nuk kishte bereqet për ata që shpëtuan. Zia e bukës po bën punën e vet duke mbjellur vdekjen kudo në Shqipëri. Por asnjëri nuk di gjë për këtë, sepse shqiptarët nuk kanë atje gazetarë.

Ndihma amerikane

Një Komitet i Ndihmës amerikane u ngrit në Nju Jork nën drejtimin e simpatizantit tonë të mirënjohur zotit Çalz Krein (Charles Crane)10 nga Shikagou (Chikago) për të siguruar ushqime për këta refugjatë të mjerë. I Përnd. Dr. Frederik Llinç (Frederick Linch), botuesi i “Kristjën Uëk” (Christian Work) të Nju Jorkut dhe zoti Uilljëm Uillad Hauëd (William Willard Howard)11 nuk kursejnë përpjekjet për t’i bërë të njohur publikut amerikan mjerimet e Shqipërisë. Megjithatë thirrjet e tyre nuk gjetën po atë pritje fisnike që gjetën thirrjet e drejtuara në emër të vendeve të tjera të dëmtuara. Përveç kësaj Italia ka vendosur një bllokadë në brigjet e Shqipërisë dhe ania me ndihma amerikane nuk mundëte deri vonë të mirrte leje për të lundruar në drejtim të Vlorës. Nga ana tjetër, ushqimet e dërguara në Shqipërinë e jugut prej të njëjtit Komitet të Ndihmës nëpër rrugën Selanik-Korçë, kapeshin nga qeveria greke. Së paku gjermanët nuk penguan ushqimet të hynin në Belgjikë dhe as vunë dorë mbi ushqimet e dërguara popullatës civile belge.

Rasti i Shqipërisë ka disa gjasime të dukshme me atë të Belgjikës, me dallimin se ai është më tragjik dhe më i pashpresë. Traktati ndërkombëtar që garanton pavarësinë dhe asnjanësinë e Shqipërisë është i rëndësishëm, sikurse ai që ka të bëjë me Belgjikën. Shqiptarët nuk kanë ngacmuar armiqtë e tyre; për më tepër nuk kishte asnjë shkak ushtarak që shtetet e Ballkanit të pushtonin Shqipërinë, siç ishte rasti i Gjermanisë. I vetmi faj i shqiptarëve është se janë zotërit e një vendi që lakmohet prej fqinjëve të tyre makutë. Vuajtjet e belgëve prej gjermanëve duken si lodër fëmijësh në krahasim me martirizimin e shqiptarëve në duart e serbëve, të grekëve dhe të malazezëve. Belgët mund të luftojnë kundër pushtuesve teutonë, sepse kanë akoma një ushtri dhe janë të përkrahur prej aleatëve të fuqishëm. Shqiptarët janë të pambrojtur në duart e xhelatëve të tyre, përderisa nuk kanë ushtri për t’u mbrojtur. Belgët mund të protestojnë dhe asnjë vend neutral nuk e bën veshin shurdhër ndaj thirrjeve të tyre, ndërsa shqiptarët duhet të vuajnë agoninë e tyre në heshtje, sepse gjejnë kudo ose armiqësi të pamëshirëshme ose moskokëçarje të ftohtë.

Nuk është faji i tyre

Shqiptarët po vuajnë jo për faj të tyre. Ata janë viktima të intrigave të huaja. Diplomacia evropiane e krijoi Shqipërinë si shtet sovran nën kujdestarin e vet, por ajo bëri gjithëçka që kishte në dorë për të prishur veprën e vet. Shqiptarët nuk kanë treguar se janë të paaftë për t’u vetëqeverisur, por atyre nuk u është dhënë shansi për ta treguar këtë. Të sulmuar prej shteteve fqinjë lakmitarë dhe të lënë prej Evropës në një mëshirë prekëse, ata po japin shpirt. Ata presin tani prej evropianëve drejtësi dhe të çmohen duke iu siguruar një shans i mirë. Çështja e tyre është e drejtë dhe ata meritojnë simpatinë e kombeve të qytetëruara. Ata kërkojnë vetëm të jetojnë në paqe dhe të lirë, të jënë zotër të vendit që u takon prej kohësh që nuk mbahen mend, para se grekët dhe sllavët të vinin në Gadishullin Ballkanik.

Si përfundim, po lejohem t’i referohem prapë artikullit “The Shkyptars” të simpatizantit të shquar amerikan zotit Xhorxh Fred Uilljamës: “Ata (Shqiptarët) janë njerëz të lirë që luftojnë për liri, të cilët do të ishin të mirëpritur në tempullin në tempullin e patriotëve. Po Amerika po hesht, asnjë vapor nuk çan detet për të shpëtuar barinjtë e Vlorës, askush nuk lëviz gishtërinjtë për të thurrur mbulesa për duart e varfëra dhe shpirtërat e ngrira të viktimave të padrejtësisë evropiane. Dhe kjo ngjet, sepse ne Shtetet e Bashkuara nuk i njohin faktet për të cilat unë po shkruaj këto radhë për të shpalosur përpara tyre historinë e dhimbshme të shqiptarëve trima, të cilat e duan me gjithë shpirt jetën e lirë dhe të pavarur për veten e tyre, për fëmijët e fëmijëve të tyre.”

 

Botuar për herë të parë në “Boston Traveller” në gjysmën e dytë të vitit 1915.

Nënshkruar: Fan S. Noli.

Marrë nga “Dielli“, 1915,

22 shtator, Nr. 491 dhe 24 shtator,

Nr. 492.

 

Botohet sipas përkthimit nga anglishtja prej K. Bihikut./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit