MENU
klinika

Racizmi...

Ikja dhe identiteti: Nobelisti i letërsisë vjen nga Zanzibari

07.10.2021 - 17:34

       “Për depërtimin e pakompromis dhe me dhembshuri në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit në gjirin midis kulturave dhe kontinenteve”, është cilësuar nga juria, vepra e fituesit të Nobelit në Letërsi 2021, shkrimtarit lindur në Zanzibar, Abdulrazak Gurnah, i njohur në Angli.

Abdulrazak Gurnah lindi në 1948 dhe u rrit në ishullin Zanzibar, në Oqeanin Indian, por mbërriti në Angli si refugjat, fundin e viteve 1960.

Pas çlirimit paqësor nga sundimi kolonial britanik, në dhjetor 1963, Zanzibari kaloi një revolucion që, nën regjimin e presidentit Abeid Karume, çoi në shtypjen dhe persekutimin e qytetarëve me origjinë arabe; pati masakra. Gurnah i përkiste grupit etnik të viktimizuar dhe pas mbarimit të shkollës u detyrua të linte familjen e të largohej nga vendi, atëherë Republika e sapoformuar e Tanzanisë. Ishte tetëmbëdhjetë vjeç. Deri në vitin 1984, nuk ishte e mundur që ai të kthehej në Zanzibar dhe iu lejua ta shihte të atin vetëm pak para vdekjes.

Deri sa doli në pension, Gurnah ka qenë profesor i letërsisë angleze dhe postkoloniale pranë universitetit ”Kent në Canterbury”, duke u përqëndruar kryesisht në shkrimtarë të tillë, si Ëole Soyinka, Ngũgĩ ëa Thiong’o dhe Salman Rushdie.

Ka botuar dhjetë romane dhe disa tregimesh të shkurtra.

Tema e përçarjes së refugjatit shtrihet në gjithë veprën e tij. Ai filloi të shkruante si një 21-vjeçar në mërgim dhe megjithëse suahilishtja ishte gjuha e tij e parë, anglishtja u bë ajo letrare. Ai ka thënë se në Zanzibar, qasja e tij në letërsi në suahilisht, ishte praktikisht zero dhe shkrimet e tij më të hershme nuk mund të llogariteshin rreptësisht si letërsi. Poezia arabe dhe persiane, veçanërisht ‘Netët arabe’, ishin një burim i hershëm dhe domethënës për të, ashtu siç ishin edhe suret e Kuranit. Por, tradita në gjuhën angleze, nga Shekspiri te V. S. Naipaul, do të shënonte veçanërisht punën e tij. Thënë kështu, duhet theksuar se ai ndërpret me vetëdije konvencionin, duke ngritur perspektivën koloniale, për të nxjerrë në pah atë të popullatave autoktone. Kështu, romani i tij “Shkretëtira” (2005), për një lidhje dashurie bëhet një kontradiktë e hapur, me atë që ai e ka quajtur “romanca perandorake”, ku një hero konvencionalisht evropian kthehet në shtëpi nga arratisjet romantike jashtë vendit, mbi të cilat historia arrin në pashmangshmërinë e saj, zgjidhjen tragjike.

Në veprën e Gurnahut, përralla vazhdon në tokën afrikane dhe nuk mbaron kurrë…

Letërsia e tij nis nga koha e tij në mërgim, por ka të bëjë me marrëdhënien me vendin që e kishte lënë, që do të thotë se kujtesa është e një rëndësie jetike për gjenezën e veprës së tij. Romani i tij debutues, “Kujtimi i nisjes”, nga viti 1987, ka të bëjë me një kryengritje të dështuar dhe na mban në kontinentin afrikan. Protagonisti i ri, i talentuar, përpiqet të shkëputet nga dëmtimi shoqëror i bregdetit, duke shpresuar se do të merret nën mbrojtjen e një xhaxhai të pasur në Nairobi. Përkundrazi, ai poshtërohet dhe kthehet në familjen e tij të thyer, babai alkoolik dhe i dhunshëm, dhe një motër e detyruar të prostituojë.

Gurnah, shpesh lejon që narracionet e tij të ndërtuara me kujdes, të çojnë në një pasqyrë të fituar me vështirësi.

Një shembull i mirë është romani i tretë, “Dottie” (1990), portret i një gruaje zezake me prejardhje emigrante, që rritet në kushte të vështira, në Anglinë e viteve 1950, mbushur me racizëm dhe për shkak të heshtjes së nënës së saj, që nuk ka lidhje me historinë e saj familjare. Në të njëjtën kohë, ajo ndihet pa rrënjë në Angli, vendi ku lindi dhe u rrit. Protagonistja e romanit përpiqet të krijojë hapësirën dhe identitetin e saj, përmes librave dhe tregimeve; leximi i jep asaj një mundësi për të rindërtuar personalitetin. Emrat dhe ndryshimi i tyre, luajnë një rol qendror në një roman që tregon dhembjen e thellë dhe aftësinë psikologjike të Gurnahut, pa aspak sentimentalizëm.

Në trajtimin e përvojës së refugjatëve nga Gurnahu, fokusi është në identitetin dhe imazhin e vetes, dukshëm, jo më pak në “Admirimi i heshtjes” (1996) dhe “By the sea” (2001). Në të dy këta romane në vetën e parë, heshtja paraqitet si strategjia e refugjatit për të mbrojtur identitetin përballë racizmit dhe paragjykimeve, por edhe si një mjet për të shmangur një përplasje midis së shkuarës e të tashmes, duke përjetuar zhgënjim dhe një lloj vetëmashtrimi katastrofik.

Abdulrazak Gurnah, Tanzanian, writer, novelist, academic, portrait, Modena, Italy, 6th April 2006. (Photo by Leonardo Cendamo/Getty Images)

Godet, përkushtimi i Gurnahut ndaj së vërtetës dhe neveria e tij, ndaj thjeshtësimit të fakteve tronditëse.

Kjo mund ta bëjë atë të zymtë dhe pa kompromis, në të njëjtën kohë kur ai ndjek fatet e individëve, plot dhembje dhe angazhim të paepur. Romanet e tij tërhiqen nga përshkrimet stereotipike dhe na hapin shikimin drejt një Afrike Lindore të larmishme kulturore dhe të panjohur për shumë pjesë të tjera të botës.

Në universin letrar të Gurnahut, gjithçka po ndryshon – kujtimet, emrat, identitetet. Kjo ndoshta, sepse projekti i tij nuk mund të arrijë përfundimin në asnjë kuptim përfundimtar. Një eksplorim i pafund, i nxitur nga pasioni intelektual, është i pranishëm në të gjithë librat e tij dhe po kaq i spikatur tani, në ‘Afterlives’ (2020), si në kohët kur ai filloi të shkruante, si refugjati 21-vjeçar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Orhan Pamuk: Si e shoh unë jetën

“Lumturia është prania e asaj(atij) që do”