MENU
klinika

Infrastruktura dhe energjetika

Nga veriu në jug, projektet në buxhetin 2022

24.10.2021 - 13:03

Tuneli i Llogorasë, ndërtimi i bajpasit të Tiranës, Gjirokastrës dhe financimi i disa loteve të Unazës së jashtme të Tiranës janë disa nga projektet infrastrukturore që do të financohen nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2022.

Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Ministrja Balluku bëri të ditur se vitin që vjen edhe sektori energjetik do të jetë në fokus të investimeve.

Sipas saj, qeveria do të vendosë një fond garancie prej 100 milionë eurosh për Operatorin e Shpërndarjes së Enegjisë Elektrike (OSHEE) për mbrojtjen e konsumatorit familjar dhe biznesit të vogël nga ndikimi i krizës energjetike që ka prekur të gjithë botën.

Po ashtu, ministrja tha se do të financohet edhe projekti për rehabilitimin e Hidrocentralit të Fierzës, më i madhi në vend.

Ky projekt merr një rëndësi të veçantë pasi vendi siguron nga HEC-et, 60 %të energjisë elektrike për konsum.

Rehabilitimi i këtij hidrocentrali ndërtuar rreth 40 vjet më parë në kaskadën e lumit Drin, do të sjellë rritjen e efikasitetit, do të ulë kostot e mirëmbajtjes falë instalimit të pajisjeve të teknologjisë së lartë dhe do të ndihmojë për reduktimin e emetimit të dyoksidit të karbonit.

Ndërkohë buxheti parashikon edhe fondet për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës portuale në përputhje me masterplanin e miratuar të zonave portuale.

Buxheti parashikon edhe financimin e projekteve për zhvillimin e infrastrukturës dixhitale për zonën e Veriut dhe Jugut të Shqipërisë.