MENU
klinika

Bashkohen liderët fetarë

”Kopshti… të mos bëhet shkretëtirë!”

04.10.2021 - 17:13

        Udhëheqësit fetarë, përfshirë Papë Françeskun dhe klerikun më të lartë islam sunit, kanë bërë thirrje për veprime të guximshme kundër ngrohjes globale dhe çështjes së klimës.

“Ne kemi trashëguar një kopsht dhe nuk duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë, si një shkretëtire. Nëse e humbasim mundësinë për të ruajtur shtëpinë tonë, brezat e ardhshëm kurrë nuk do të na e falin”, thanë ata.

Apeli u paraqit në konferencën ”Besimi dhe shkenca”, që Vatikani e organizoi në Romë, para mbajtjes së samitit historik ndërkombëtar dyjavor, për çështjen e klimës, që fillon më 31 tetor në Glasgou, Skoci.

“Ne i lutemi komunitetit ndërkombëtar, të ndërmarrin veprime të shpejta”, thuhet në deklaratën e udhëheqësve fetarë.

Në konferencën e organizuar nga Vatikani, gjithashtu morën pjesë edhe ekspertët për ndryshimet klimatike, të cilët, po ashtu e mbështetën thirrjen.

Në konferencë, Papa kryesisht ua la podiumin mysafirëve të tjerë, për të mbajtur fjalime, përfshirë imamin e xhamisë dhe universitetit Al-Azhar në Egjipt, Shejh Ahmed al-Tayeb dhe Patriarkut Bartholomew I të Kostandinopojës, udhëheqësin shpirtëror i të krishterëve orthodoksë.

Bartholemew, theksoi mes të tjerash, se kjo thirrje vjen nga “dialogu midis të gjitha feve në botë”.

Liderët botërorë janë nën presion për të ulur nivelet e karbonit në ekonomitë e tyre dhe që në samitin e Glasgout, të përcaktojnë një rrugë të qartë për të siguruar njerëzimin nga katastrofat globale shkaktuar nga ndryshimet klimatike.