MENU
klinika

Verifikimi i votave

KQZ nxjerr rezultatin: Nuk pati vjedhje më 25 prill!

16.10.2021 - 18:21

Hapja e 10% të kutive nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk konfirmon dyshimet e ndonjë subjekti se në 25 prill votat u vodhën. Të paktën, elementë të vjedhjes së votave apo abuzimit me rezultatin elektoral, nuk janë gjetur në dy ditët e para të rinumërimit në KQZ. Nga 21 kutitë e hapura deri më tani, nga 519 të përzgjedhura për tu verifikuar, janë zbuluar vetëm diferenca me plus apo minus 1-3 vota.

Në vlerësimin e Komisionit këto hyjnë tek gabimet njerëzore dhe janë larg rasteve kur mund të dyshohet për vjedhje votash apo abuzim nga numëruesit në favor të një partie apo një kandidati, çka mund të dërgojë në prokurori ndonjë prej numëruesve.

Kutitë e para që janë rinumëruar janë ato të Qarkut Shkodër. Të dhënat zyrtare tregojnë se Partia Social Demokrate e Tom Doshit ka marrë 2 vota më shumë se sa meritonte, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit 3 më shumë se sa i takonin, PD ka marrë pa të drejtë dy vota më shumë dhe LSI 1 më tepër.

Partisë Socialiste rezulton që numëruesit në Shkodër t’i kenë hequr një votë padrejtësisht. Gjithsesi, rinumërimi do të vazhdojë për cdo zonë zgjedhore dhe do të hapen 10 % e kutive të përzgjedhura me short.

Ky proces verifikimi po kryhet për herë të parë. Kodi Zgjedhor e futi këtë risi, me qëllim që frika të ruajë vreshtin dhe numëruesit të mos vjedhin, ndërsa rinumërimi nuk do të prekë rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.