MENU
klinika

"Nuk jeni përgjegjës për sanksionet"

Kufizimet e energjisë/ Enti Rregullator njofton të licencuarit

18.10.2021 - 18:25

Enti Rregullator i Energjisë ka reaguar në lidhje me shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike nga qeveria shqiptare, duke iu kujtuar të gjithë të licencuarve se nuk do të jenë përgjegjës për sanksionet e ardhura si rezultat i ndërprerjes ose kufizimit të energjisë elektrike.

ERE sjell në vëmendje ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”, që përcakton rastet se kur shpallet gjendja e emergjencës, si dhe hapat e mëtejshëm që mund të merren nga qeveria në drejtim të kufizimit të përdorimit të energjisë. Sipas ligjit, gjatë situatave emergjente, të licencuarit dhe klientët duhet të respektojnë kufizimet në përdorimin e energjisë elektrike, që bazohen në kritere të paracaktuara, që kanë të bëjnë me menaxhimin e disbalancave prej Operatorit të Sistemit të Transmetimit.

Gjithashtu, në situata emergjente, Këshilli i Ministrave mund të vendosë mbi të licencuarit detyrimin e shërbimit publik në lidhje me sigurinë e furnizimit, duke përfshirë detyrimin e importit të energjisë elektrike, detyrimin e furnizimit vetëm të kategorive të caktuara të klientëve ose kushte të tjera të veçanta në kryerjen e aktiviteteve të licencuara. Përmes vendimit të marrë në datën 8 tetor, Këshilli i Ministrave shpalli gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, duke urdhëruar kompanitë publike të pezullojnë planet e investimeve.

Sipas vendimit, gjendja e emergjencës do të zgjatë deri në datën 15 prill, ndërkohë që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe kompanitë që janë pjesë e OSHEE Group do të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Megjithatë, ndonëse ERE sjell në vëmendje ndërprerjen e energjisë, sipas vendimit të qeverisë shoqëritë publike të energjisë do të duhet të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shqipëria nën “ethet” e kriptovalutave

Rreziku i pastrimit të parave dhe sekretet