MENU
klinika

Koha ndahet e barabartë mes mazhorancës dhe opozitës

Kuvendi mblidhet në seancë plenare, diskutohen çështje të ngritura nga zgjedhësit!

25.10.2021 - 17:36

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në seancë plenare dhe ka vetëm një pikë në rendin e ditës:  Diskutim i çështjeve të evidentuara nga zgjedhësit, në bazë të nenit 40/1 të Rregullores së Kuvendit. 

Koha e diskutimeve ndahet në mënyrë të barabartë mes shumicës dhe pakicës, duke marrë parasysh edhe deputetin e pavarur ose deputetin jashtë grupeve parlamentare.

Koha e diskutimit brenda shumicës ose pakicës ndahet për sa është e mundur në proporcion me madhësinë e grupeve dhe numrin e deputetëve të pavarur ose deputetëve jashtë grupeve parlamentare.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke ju referuar raportit të ‘World Justice Project’ për indeksin e sundimit të ligjit, thotë se Shqipëria renditet e fundit në Europë.

‘Pak ditë më parë, “World Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, publikoi Indeksin e Sundimit të Ligjit, 2020-2021, në të cilin Shqipëria renditej e fundit në Europë.

E 83-ta nga 139 shtete, është renditur vendi ynë, mes Algjerisë dhe Surinamit, një shtet për të cilin disa prej njerëzve në këtë sallë duhet të klikojnë në google për ta gjetur. Ndërsa unë e mbaj mend nga vitet e studimit në Holandë si vendi me një president në kërkim ndërkombëtar të akuzuar për korrupsion, trafik droge dhe vrasje politike. Këtu është katandisur Shqipëria 8 vite pas sundimit të këtij kryeministri, në një vend ku korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit nuk përbën më lajm.

Në një vend ku mendjelehtësi marramendëse trajtohen me oreks të panginjshëm cdo lloj teme, mjaft që të  që eklipsojnë debatin mbi ato që realisht prekin jetën e njerëzve. Ky raport konfirmon atë që të tjera organizata ndërkombëtare kanë raportuar vitet e fundit për Shqipërinë. Pikërisht atë që Partia Demokratike ka denoncuar me forcë.

Dhe mbi të gjitha atë që qytetarët dhe sipërmarrësit e ndershëm të këtij vendi, përjetojnë cdo ditë, kur përballen me padrejtësinë, abuzivizmin dhe mungesën e llogaridhënies: Shteti shqiptar nën Edi Ramën nuk është thjesht i korruptuar por një shtet i kapur nga korrupsioni. Këtë nuk e them unë, por raporti i Transparency International.’- tha Basha në Kuvend.