MENU
klinika

Arrestohet pronari i biznesit

Lushnje, 41-vjeçari përfundon më plagë të rënda në spital

13.10.2021 - 11:56

Një debat banal ka degraduar në një konflikt ku janë përdorur edhe armët e ftohta në një lokal të Lushnjes.

Policia bën me dije se një 41-vjeçar ka përfunduar më plagë të rënda në spitalin rajonal për shkak të goditjeve me thikë nga pronari i biznesit.

Forcat policore arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin A. D., 49 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

NJOFTIMI I PLOTE

Lushnjë/ Tentoi të vriste me thikë një shtetas, Policia zbardh ngjarjen, identifikon dhe kap autorin e dyshuar.

Arrestohet në flagrancë edhe një shtetas për moskallëzim krimi.

Pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Lushnjës ka shkuar i plagosur shtetasi G. D., 41 vjeç, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe pas një pune intensive dhe veprimeve të mirëorganizuara u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit A. D., i cili në lagjen “20 Tetori”, në lokalin e tij, pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me thikë 41-vjeçarin.

Shtetasi G. D., ndodhet në spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. D., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale thika me të cilën dyshohet se ka kryer krimin dhe 1 shkop bejzbolli.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” shtetasin A. D., 49 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi A. T., 55 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ka qënë i pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk ka kallëzuar në organet kopetente krimin e ndodhur.