MENU
klinika

Çimentohet “aleanca turko-gjermane”?

Merkel, vizitë në Turqi përpara se të lërë postin

16.10.2021 - 16:16

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbërriti në Turqi për bisedime me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan- një nga vizitatat e fundit të saj jashtë kufijve përpara se të lërë postin pas 16 vitesh në pushtet.

Disa e panë këtë lëvizje të saj si sinjal për forcimin e aleancës turko-gjermane. Nuk ka ende detaje se çfarë u diskutua në takimin e zhvilluar përpara samitit të liderëve të BE-së të parashikuar të mbahet në Bruksel në datat 21 dhe 22 tetor.

“Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Gjermanisë do të rishikohen në të gjithë aspektet e tyre dhe do të diskutohen hapat për shtimin e bashkëpunimit mes dy vendeve”, thuhet në një deklaratë të zyrës së shtypit të presidentit turk.

Në agjendën e bisedimeve Merkel-Erdogan janë edhe zhvillimet e fundit në Libi, Siri dhe Afganistan. Në përplasjen e Turqisë me Greqinë për interesat në Mesdheun Lindor, Gjermania nuk u rreshtua haptazi në krahun e Athinës, përkundrazi kur kjo e fundit kërkoi vitin e kaluar një embargo armësh ndaj Turqisë, nuk iu vu veshi shumë pretendimeve të saj dhe një nga arsyet kryesore që kërkesa greke u la në sirtar, ishte pikërisht kundërshtia e Berlinit, nga i cili Turqia kërkon të blejë nëndetëset e fuqishme U214.