MENU
klinika

Nga Alfred Peza

Miti i rremë i Sali Berishës dhe shembulli i Silvio Berlusconit

09.10.2021 - 19:19

Turi i Sali Berishës nëpër Shqipëri ndodhet në fazën, që ka nevojë për doping propagandistik, për të qëndruar në këmbë. Shiringa që kërkohet tu injektohet shqiptarëve, është e mbushur me mite të rreme, në mënyrë që aksioni i “liderit historik” tu duket ndryshe. Qëllimi është të krijojnë imazhin e një realiteti “fake”, që nuk ekziston në terren.Kësisoj, besojnë se do ia dalin që ta nxjerrin, nga lista e zezë e SHBA.

“Gozhda e Nastradinit” mbetet qëndrimi, se përjashtimi nga Grupi Parlamentar i PD, ishte akt arbitrar i Lulzim Bashës. Kjo bëri që Sali Berisha të marë mbështetje popullore, ndaj tani nuk mund të shmanget kaq lehtë. Përkundrazi. Duke gëzuar simpatinë e demokratëve, të djathtëve, socialistëve, të majtëve e shqiptarëve brenda e jashtë vendit, ndëshkimi i tij është shndërruar në një lojë me zjarrin.

Kjo strategji propogandistike, nuk ngrihet mbi të vërteta, por mbi mite të rreme. Përmes tyre po mundohen të vizatojnë virtualisht, një Sali Berishë që nuk ekziston në praktikë. Duan të krijojnë një besim kolektiv që nuk bazohen në fakte, por që ngrihet mbi fantazi, folklor, të dhëna konfuze, dëshira personale dhe legjenda urbane. Për ti dhënë qytetari, hedhin pa u ndalur në treg “lajme”, vërtetësia e të cilava nuk mund të verifikohen dot kurrë.

Një herë thonë se Donald Trump e do Doktorin dhe do bëjë namin për ta mbrojtur në Kongres. Një herë tjetër se Ambasadorja e SHBA Yuri Kim qenka habitur shumë, nga mbështetja që paska “lideri historik” në bazë. E pas kësaj pyesin se çfarë do bëjë Sali Berisha, me gjithë këtë dashuri të pamatë popullore? A do ia dalë të mos i zhgënjejë? Si do ta kanalizojë atë? Si do e menaxhojë? Ndaj po i bëjnë “presion”, tu tregojë sa më parë, programin e tij konkret. Sepse ndryshe, nuk do ti zerë dot…, gjumi sonte!

Nga frika se mos pagjumësia, shqetëson pas tyre edhe shqiptarët, nisin e bëjnë sondazhe. Nxjerrin shifra në rrjetet sociale, portale e televizione. Nuk ka rëndësi nëse i shkruajnë vetë, i transmetojnë vetë dhe i komentojnë po vetë. E rëndësishme është tu mbushin mendjen se nga inati i Amerikës, Sali Berishën e duan 65% e votuesve shqiptarë e mbi 75% të demokratëve! Ndaj në këto kushte, ai pranoi ta mendojë seriozisht, deri edhe rikthimin.

Kaq duhet dhe telenovela propogandistike, sa vjen e bëhet më “intriguese”: A do të jetë Sali Berisha kryetar i PD? Apo do zgjedhi një “Lulzim Bashë” të ri? A do e drejtojë ai procesin e “reformimit” të PD? Apo do e lë garën të lirë, në mënyrë që demokratët ta zgjedhin më në fund vetë, liderin e së ardhmes? Nëse ndodh kjo, po Sali Berisha çdo bëjë, ëëë…? Çfarë roli do ketë? Çfarë pozicioni do të mbajë?

E kështu broçkull pas broçkulle, shejtan budallenjve të oborrit të tij propogandistik, nuk u mbetet gjë tjetër veçse ta shpallin Sali Berishë “Mbretin Diell”. Planetët e satelitët, do rrotullohen gjithë jetën derisa tu meren mendtë, veç rrotull tij. Janë aq të sigurtë se ia kanë dalë ta krijojnë këtë botë paralele, sa janë gati të bëhen edhe vetë, banorët e saj të parë. Me shpresën se kësisoj shqiptarët do vrapojnë pas tyre, duke shkulur flokët e çjerrë faqet me thonj, që ta popullojnë sa më parë atë. O Zot, çfarë mjerimi!

Nëse Sali Berisha paska realisht kaq mbështetje popullore tani, sa nuk e ka patur përgjatë 31 viteve të karrierës së tij politike, përse nuk po e kanalizon atë? Pse nuk krijon parti të re? Një grupim të ri politik? Një koalicion të ri opozitar, që si uragan të mari përpara, edhe Lulzim Bashën edhe Edi Ramën? Përse e harxhon kohën kot në “Foltoret” e Shqipërisë, kur realiteti qenka në mazhorancë absolute pro tij?

Historia e demokracive botërore ka njohur liderë që pasi kanë udhëhequr një parti, në një etapë të caktuar të jetës së vendit, kanë krijuar lëvizje të reja. Një pol të ri politik. Mos të shkojmë larg, mjafton të kujtojmë se në moshën e Sali Berishës edhe Silvio Berlusconi pas “Forza Italia”, krijoi “Partinë e popullit Italian për liritë”. Të dy kanë të pëbashkët mitin, se ngado që ti hedhësh, bien sësisht në këmbë!

E përderisa paska me vete shqiptarët, Sali Berisha ka detyrimin historik, që ti udhëheqë ata sërisht drejt fitorjeve të reja. E ta shohi pas kësaj Lulzim Basha, SHBA dhe Edi Rama se çi kanë bërë vetes, pasi “e krruajtën” me Doktorin e gabuar. Vetëm pasi dielli të lindë andej nga nuk perëndon, do e mallkojnë atë ditë, kur e shpallën Sali Berishën “non grata”!