“Meta, Rama dhe Berisha janë pjesë të një trekëndëshi Bermude, të formuar nga e njëjta brinjë”.
Kështu u shpreh një ditë më parë në parlament, kryedemokrati Lulzim Basha.
Këto fjalë të liderit demokrat, u diskutuan në emisionin “Pikat mbi i”, ku të ftuar ishin 2 analistët, Artur Zheji dhe Mentor Nazarko.
Zheji tha se Basha nuk ka më çfarë të humbasë politikisht dhe ka vendosur në shënjestër, Raman, Berishën dhe Metën.
Nga krahu tjetër, analisti Mentor Nazarko, tha se në këto muaj kemi parë Lulzim Bashën si kryetar të vërtetë të PD, duke shtuar se me propozimin e vettingut në politikë, kërkon të tregojë që do të ndryshojë tranzicionin 30-vjeçar
Pjesë nga debati
Artur Zheji: Dita e djeshme parlamentare ishte e dominuar nga kjo risi. Më në fund, pas një akumulimi që çon në një nivel tjetër reagimi politik të kryetarit të PD, dje pamë hedhjen e dorashkave, të reagimit asimetrik që zoti Basha ka bërë ndaj Berishës, sepse me Ramën ka qenë më i thjesht për të. Ai për herë të parë, i cilësoi Berishën, Ramën dhe Metën, si brinjë të njëjtin trekëndësh. Gjëja që ndoshta u pa dhe disa lojëra fjalësh që u bënë me Ramën. Çdo njeri nëse vihet në një pozicion radikal, mund të reagojë në mënyrë radikale.
Mentor Nazarko: Unë e kam pikasur që edhe në propozimin për ligjin e vettingut, që Basha do të regjistrohet si dikush që do t’i japë fund tranzicionit. Ai është i ndryshëm nga Meta, Berisha dhe Rama, e bën një kërkesë që do të kundërshtohet hipotetikisht nga Rama dhe Berisha. Në këtë mënyrë ai lartësohet nga refuzimi i të dyve. Ky është një ligjërim që ai e ka përdorur shpesh edhe në fushatë. Kjo metaforë që ka përdorur, është shënjim i fillimit të një beteje publike ndaj të treve. Ai ka pasur një betejë kundër Metës, në një fushatë elektorale në 2017 dhe nuk kishte kohë që ajo të tretej përshtatshmërisht. Konsiderata e tretë sa i takon gjetjes së metaforës, është vetëdëmtuese. Pse e them? Sepse trekëndëshi i Bermudës është një bashkësi pikash në oqean që është varrezë anijes. Ky ka qenë pjesë e këtij trekëndëshi për 8 vite, i duheshin kaq vite për të kuptuar këtë gjë. Pjesa e fundit e karrierës së tij politike është shënjuar nga Berishizmi. Ai ka qenë Berishist. Gjetja e kësaj metafore ku i identifikon ata si pjesë e trekëndëshit, është vetëshkatërruese, sepse ai nuk ka treguar distancim në metodë politike, në një farë mënyrë i janë dashur tetë vite për të kuptuar që ishte pjesë e kësaj trekëndëshi.
Artur Zheji: Stresi politik ka arritur aty ku nuk mban më për Bashën, sepse është ndërtuar një numër i madh njerëzish që thonë se Basha ka frikë, është i dobët, më i dobët se kurë. Krijojnë gjendjen e një paniku ndaj Bashës. Në këtë këndvështrim Bashës nuk i ka ngelur asgjë politikisht, vetëm se të rreshtojë në një thyes të tre si Metën, Berishën dhe Ramën, sepse ata kanë vendosur në dyshim lidershipin e tij. Mendoj që më në fund Lulzim Basha shfaqet i fortë. Ai dje bëri dhe forcë dhe akt. Çështja është që ne kuptuam se deri më tani ai është vetëpërmbajtur. Mesa duket kjo vetëpërmbajta do të marrë fund, do të shohim një përshkallëzim pa filtra.
Mentor Nazarko: Ky është pozicionim i qartë i Bashës. Nëse Basha ka qenë ndonjëherë kryetar i PD ka qenë këto 2 muaj të fundit. Kështu që atit i duhet një fjalim historik për një betejë ndaj të vjetrës. Unë vetëm evidentova një moment të kësaj metafore që ka brenda atë që ka qenë historiku politik i Bashës deri më tani. Duke kaluar nga referenca gjeografike në atë reale, pikëpyetja është kjo. Një luftë e tillë kaq e madhe, kundër të mëdhenjve të politikës tonë, a është e lexuar? Po. Mendoj se po. Ai do të distancohet nga të tjerët. A i ka Basha armatime për një luftë të gjatë kundër këtyre njerëzve, që kanë lidhje në territor, me grupe interesash, kanë elektorat të qëndrueshëm. A ka Rama armatimin e nevojshëm ndaj të treve? A do të distancohet ai nga e kaluara Berishiste, qoftë në fjalë qoftë në aksion. Në një pjesë të të bërit opozitë, ai po tregon një lloj distancimi. Më pëlqen aksioni i tij politik me karakter ekonomik.
Arur Zheji: Unë mendoj që zoti Basha në replikën që bëri në Kuvend shkoi përtej për të shpjeguar diçka në mënyrë sa më të thjeshtë. Rama është kundërshtari i zotit Basha. Fillon habia te Berisha. Nuk u duk se Basha ka pasur ndonjëherë akt mohimi ndaj Berishës, as faktin se ai ka hyrë në politikë si i ‘delfini’ i doktorit. Kjo nuk do të thotë që të gjitha gjërat që bën Sali Berisha janë të identifikueshme dhe janë bërë me pëlqimin e Lulzim Bashës. Ne shohim Berishën që thotë se kam qenë kundër vendimeve të Bashës. Këtë lloj simetrie nga Basha është e kotë ta presim, sepse ai ka tjetër kulturë. Basha tha në Kuvend e filloni ndaj meje vettingun, mos kini frikë.
Mentor Nazarko: Aksioni i vettingut është konsideruar si një lloj balloni prove për të testuar Ramën dhe Berishën që do e kundërshtojnë si iniciativë. Nga kjo u kuptua distancimi i Ramës. Në gjykimin tim një ndërmarrje kaq ekstreme për t’i bërë pastrim politikës duhet të ishte më e konsultuar dhe konsultime ndërkombëtare. Nëse ai ka konvergjencë me faktorë perëndimorë që janë edhe autorë të reformës në drejtësi, nëse këtu ka dhe ndihmën e amerikaneve, mund të bëhet fjalë për një ndërmarrje të suksesshme. Mirëpo kam dyshime. Pse? Sepse unë e mirëkuptoj faktin që Basha me qëndrimin e tij të afërt ndaj Berishës e ka pasur të vështirë të tregojë një identitet politik. Mirëpo ka pasur mundësinë që të reagonte një lloj identiteti, nuk e ka treguar, të paktën në ligjërim. Beteja në ligjërim ndaj një lojtari si Rama, nga Basha që ka një farë prehistorie i trajnuar në klubet e debatit në universitetet perëndimore, mund të prodhojë një sfidë interesante.