Është ndarë nga jeta në moshën 39-vjeçare prokurorja e Elbasanit, Erida Kokonozi.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta, të prokurores Erida Kokonozi, e cila e ushtronte detyrën në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Elbasan.
“Zonja Kokonozi ka qenë një nga magjistratët e spikatur të sistemit të prokurorisë, e cila e ka nderuar figurën e prokurorit, duke treguar një shkallë të larte integriteti dhe profesionalizmi në ushtrimin e detyrës.
Komuniteti i prokurorëve do ta kujtojë znj. Kokonozi përherë me nderim, për kontributin e saj të çmuar në fushën e drejtësisë.
U shprehim ngushëllimet tona familjareve dhe të afërmve, për ndarjen e saj nga jeta” – thuhet në njoftim.
Emri i Erida Lamka-Kokonozi është lakuar në Nëntor të vitit 2017, kur Prokuroria e Elbasanit kishte nisur hetime për pastrim parash ndaj familjeve të personave që rezultonin pronarë biznesesh të ndryshme me miliona euro xhiro e fitime.
Konkretisht, Prokuroria e Elbasanit me 27 Tetor 2017, i kishte kërkuar Degës së Tatim Taksave, Bankave të Nivelit të Dytë, Drejtorisë së Shërbimit të Transporteve, Degës së Doganave hetim të veprimeve për 67 persona të botës së biznesit, qeverisë vendore dhe Universitetit.