MENU
klinika

Ylli Pata

Parashikimet e pasojave të tërmetit real politik që ka prodhuar SHBA

11.10.2021 - 10:33

Është mjaft kurioze të shikosh sot se kush dhe si reagon në politikën shqiptare, nga tentativat që dalin në sipërfaqe për një zhvillim të ri në politikën shqiptare.

Rasti i reagimeve ndaj aktivistit Adriatik Lapaj, i cili zhvilloi edhe një duel me Edi Ramën live në televizion, është një letër lakmusi, për të parë se ç’ndodh e kush janë aktorët që pengojnë çdo lëvizje të re dhe transversale në vend. Por që në radhë të parë, do të vijë nga opozita, edhe për faktin se është dialektike që nga kjo pjesë të ketë zhvillime, ndërkohë që një faktor i rëndësishëm nga jashtë, ka shërbyer si katalizator shumë i fortë për reaksione kimike zinxhir, në radhë të parë tek krahu i djathtë apo i opozitës në vend.

Vendimi i qeverisë Amerikane për të shpallur Non Grata për “korrupsion të qënësishëm” të disa zyrtarëve të rëndësishëm e politikanëve shqiptarë, duke nisur nga njeru kyç i 30 vjetëve postkomunizëm, Sali Berisha, është realisht një tërmet, që do të ketë të gjitha fazat e një lëvizje tektonike nga themelet e politikës shqiptare.

E shenjat e këtij Bing Bangu kanë nisur e po shfaqen herë pas here e me lëvizje të ndryshme, pas fazës së parë për ta ndaluar me çdo kusht këtë tërmet, pikërisht nga njerëz që e dinin se do jenë viktimat e këtij tërmeti

Ndërkaq, pasoja më e dukshme e vendimit të SHBA është edhe shfaqja e një serie dëshirash e ambicjesh për karrierë politike në hapësirën e madhe që është krijuar në këtë “livadh” mjaft të gjerë.

Një hapësirë, që dikur ishte mbajtur me forcë nga Sali Berisha, i cili ka kontrolluar e bllokuar çdo tentative apo devijim Brenda e jashtë PD-së, për një karrierë pa komandën e regjisë qendrore.

Tronditja e parë e madhe në PD ka ndodhur pikërisht në një moment të vështirë për Sali Berishën në PD,. Kur i ardhur në opozitë pas 1997, u gjend i abandonuar nga Perëndimi.

Në atë kohë, një pjesë e rëndësishme e PD-së u largua në dy faza, një me grupin e Shehit e Rulit, e më pas me atë të Pollos.

Krijimi i dy partive politike të së djathtës krijoi idenë e një universi të ri në këtë pjesë, por që pas vitit 2002, kur Berisha ndërhyri në luftën midis Fatos Nanos e Ilir Metës, duke bërë një herë pakt me njërin, e një herë me tjetrin, solli idenë e një fuqizimi të tij. Që si pasojë pati një rikthim të djemve plangprishës te doktori, edhe pse ai i kishte telendisur, degdisur e disa patën edhe pasoja fizike, si Arben Imami.

Rikthimi i dha Berishës erën e pushtetit, që i erdhi në 2005, por sërish ai arriti ta kontrollojë e ta bllokojë karrierën reale që vinte si ambicje e natyrshme e elementëve jo konformistë Brenda PD-së.

Rasti më i spikatur në këtë betejë është garimi i vetëm i Gjergji Bojaxhiut, i cili u bë zyrtar i nivelit të dytë i qeverisë së Berishës por asnjëherë në sferat e larta, për kryetar të PD-së së Tiranës.

Berisha ja shkatërroi menjëherë këtë nismë, duke vendosur me forcë Aldo Bumçin.

Natyrisht pa përmendur përplasjen e madhe me Bamir Topin, që krijoi mundësitë e një zhvillimi të rip or që e pengoi Berisha me lëvizjen radikale “për të penguar drejtësinë” siç e thotë vendimi i Departamentit të Shtetit.

Gjatë periudhës 8 vjeçare si “babai” por edhe “rasputini” i Lulzim Bashës në PD, sërish kjo fazë u pengua prej qasjes radikale ekstreme për të penguar reformën në drejtësi, si dhe rrëzimin me çdo formë të Edi Ramës. Që shkoi deri të diegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve të 2019-s.

Për të ardhur sot, kur pas marrjes së mandatit të tretë të Edi Ramës, qasja radikale nuk e ka mundësinë e rikthimit, si pasojë edhe e rënies së valës së lëvizjeve të tilla populiste e të dhunshme nga SHBA e në Europë.

Tani, terreni është fertil për lëvizje të shumta e të ndryshme në anën e politikës që nuk është në qeverisje. E realisht kështu ndodh kudo, sinjalet e ndryshme që nga “diaspora e PD” jashtë vendit deri tek emra të rinj aktivistësh të së djathtës, po gëlojnë veprimet për tu shfaqur në publik.

Pas daljes së partive të reja të Astrit Patozit, Jozefina Topallit, Myslym Murrizit etj, tashmë pamë lëvizjen e Fatbardh Kadillit ku kishte njerëz të njohur në PD, e tentativat e protestuesve kundër Ramës, që janë hapur lëvizje për të rënë në sy. Një dialektikë normale dhe mjaft e pritshme.

Lulzim Basha dhe njerëzit pranë tij, e përkrahën lëvizjen protestuese të Lapajt, ndërkohë që mbajnë larg të gjithë të larguarit që sot janë “aleatë” të tij në distancë në luftën me Berishën.

Kreu i PD-së, nuk ka asnjë shans tjetër veçse të ribashkojë, natyrisht me një plan e strategji të menduar të gjithë universin galaktik të degdisur të PD-së në vite, e më pas të rihapë garën e vërtetë në parti, ose ajo seli që kontrollon nuk do ti vlejë për asgjë.

Ndërkohë i vetmi pol i kësaj politike që do tu kundërvihet çdo lëvizje të re në hemisferën e së djathtës shqiptare, do të jetë “Foltorja”, e cila është më e vetëdijshme për pasojat e tronditjeve të mëdha tektonike në politikën shqiptare, të tërmetit që ka nisur me shpalljen e tij Non Grata.

Tërmet, që siç ndodh në këto raste do të zhdukë “qytetërimet antike” e të sjellë në dritë realitete krejt të reja…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN