MENU
klinika

"Po keqmenaxhohen fondet, do bëjmë kallëzim në SPAK"

PD sulmon planin e qeverisë për krizën

10.10.2021 - 20:04

Partia Demokratike thotë se në vendin tonë nuk ka një krizë energjetike, por është një krizë e manaxhimit të fondeve publike, burimeve natyrore dhe nga korrupsioni. Në një deklaratë për mediat nënkryetarja e komisionit parlamentar të Ekonomisë, Sorina Koti, teksa ka publikuar shifrat thotë se shqiptarët po vidhen dhe se qeveria po gënjen shqiptarët.

Koti tha se qeveria me pretekstin e krizës do të marrë 200 milionë euro borxh që OSHEE dhe KESH dhe do të vazhdojë të bëjë tendera dhe të shpërdorojë paratë e qytetarëve. Pikërisht për keqmenaxhimin e fondeve publike, PD thotë se do të bëjë kallëzim penal në SPAK.

‘KESH deri në Shtator 2021 ka prodhuar 4.5 Mld KWh. Nëpërmjet OSHEE qytetarët janë furnizuar me 3.2 Mld KWh. Pjesa tjetër e prodhuar nga KESH, 1.3 Mld kWh është shitur (eksportuar) Ndërkohë konsumi familjar + biznes ne Shqipëri deri në Shtator 2021 ka qenë 4.6 Mld KËh. Por qeveria, nuk i ka furnizuar konsumatorët me prodhimin e brendshëm të KESH, por duke importuar energji. Çmimi i shitjes nga KESH tek OSHEE për konsumatorin është 12 €/ MWh. Ndërsa çmimi i importit është 260 € MWh. Me çmimin e KESH, (për 4 muajt e ardhshëm Shtator-Dhjetor) nga Buxheti i Shtetit do shpenzoheshin 8 Mln €; Ndërsa me skemën e vjedhjes (nëpërmjet energjisë së importuar) nga Buxheti i Shtetit do harxhohen 150 Mln €.

Për të gjitha këto shpërdorime me paratë e qytetarëve, Partia Demokratike do të dorëzojë kallzime penale në SPAK. Këto abuzime me taksat e shqiptarëve duhet të marrin fund, bashkë me pandëshkuesëmërinë që vijon të cënojë besimin te institucionet dhe drejtësia!’– tha Koti në një deklaratë për mediat.

Kujtojmë e Kryeministri Rama prezantoi dje planin dhe premtoi se përtej krizës globale, Shqipëria nuk do të përjetojë një rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe nuk do të ketë ndërprerje të dritave. Për përballimin e kësaj krize, që faza agresive pritet të jetë deri në verën e ardhshme, qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 200 mln euro, 100 prej të cilave do të shkojnë për OSHEE dhe 100 mln euro të tjera për zbatimin e 2 pikave të tjera të planit, pra mos rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit.