MENU
klinika

“Jemi dhëndurë në tentativë të familjes europiane”

Rama: Integrimi në BE proces i paparashikueshëm!

21.10.2021 - 19:53

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar procesin e integrimit europian të paparashikueshëm për shkak të pengesave që mund ta hasen “rrugës”, duke përmendur këtu veton e vendosur nga Bullgaria.

Në ceremoninë e përvjetorit të Fondacionit Gjerman “Friedrich Ebert”, Rama shprehet se Shqipëria aktualisht është një dhëndurë në tentativë në familjen europiane.

Sipas tij, ky është një proces të cilin e kanë zgjedhur vetë qytetarët shqiptarë 30 vite më parë, dhe se vendi ynë duhet të fokusohet në plotësimin e kushteve të vendosura.

“Shefja e fondacionit këtu në Tiranë ma prishi fjalimin se nisi me të njëjtën fjali si unë. Po mendoja që nënjëfarë mënyre se këtu jemi për të celebruar përvjetorin e këtij fondacioni. Friedrich Ebert ishte një personalitet, ishte një këpucar dhe arriti të ngrihej në majën e politikës si President i Gjermanisë. Këtu u fol për një koalicion që është i mundur, dhe të ndodhë ashtu siç e dëshirojnë miqtë dhe partnrët e Partisë Social Demokrate gjermane. Besoj që ky fondacion meriton mirënjohje dhe respekt, meriton një vëmendje të posaçme si një pikë referimi e rëndësishme në këtë rrugëtim 30 vjeçar ku ka qenë i pranishëm duke na shoqëruar me atë dije që është e jashtëzakonshme që vjen nga vetë historia e socialdemokracisë gjermane dhe nga vetë historia e Gjermanisë. Ajo që vlen të kujtohet si mësim nga shëmbulli i madh i Gjermanisë është që cilësia e demokracisë si cilësi. Tjetër është të mos biesh dakord duke diskutuar opinione të ndryshme dhe duke mos harruar të buzëqeshësh dhe të japësh dorën, dhe tjetër është të mos biesh dakord duke u sharë.

Dëgjova ndërveprimin mes dy miqëve që kanë ardhur nga Berlini këtu, lidhur me atë që ishte tema e ngritur në këtë mbrëmje për ecurinë e procesit të integrimit, ecurinë e çështjes së fillimit formal të negociatave me BE. Dëshiroj ta them që për ne kjo ka qenë një periudhë maturimi dhe kuptimi më i drejtë dhe më i plotë i këtij procesi dhe vetë natyrës kontradiktore dhe nganjëherë, të paparashikueshme të procesit. Është e qartë me këtë shpërthimin e papritur të problemit të Bullgarisë që ky është një proces ku ne duhet të mos e humbim fokusin nga fakti themelor se ne jemi në këtë proces jo sepse na e kanë imponuar të tjrët, jemi për herë të parë si komb dhe si shtet në një proces që e ka zgjedhur populli vetë, 30 vite më parë që të jemi pjesë e familjes së BE.

Ne duhet të vazhdojmë detyrimisht të bëjmë edhe më shumë se sa çkemi bërë, të bëjmë çdo ditë më shumë se ç’bëmë dje, pavarësisht vendimeve që merren në Bruksel, kushteve që shtohen në Bundestag. Pavarësisht se çfarë stërstërkushtesh shfaqen dhe deri në Bullgari. Këto nuk kanë lidhje me njëra tjetrën sepse kjo është zgjedhja dhe rruga jonë. Ky është detyrimi ynë, borxhi ndaj fëmijëve tanë. Ta bëjmë Shqipërinë një vend që të jetë një hapësirë demokracie funksionale sin ë BE dhe në çdo vend anëtare të BE-së, pavarësisht çfarë statusi kemi në çdo hap të këtij procesi. Nuk e dimë si quhemi tani, dhëndurë në tentativë të familjes europiane. Këto momente që na japin statuse të ndryshme në proces, nuk varen nga ne, por çfarë vendoset nga familja europiena.

Është një vendimarrje që nuk parashikohet deri në fund. Kujt do tja merrte mendja që do dilte Bullgaria. Askush nuk mund ta parashikojë 100% se del një tjetër, Bullgaria që del tani, deri përpara dy vjetësh, ishte 100% dakord. Ne na duhet të fokusohemi tek vetja, rruga jonë dhe puna jonë që të përfitojmë sa më shumë nga kjo dije. Procesi i integrimit është një process i transferimit të dijeve dhe metodologjisë për shtetformimin demokratik. Duke pasur një vëmendje në funksion të kritikës për si ecin gjërat dhe ndihmën teknike për t’i përmirësuar gjërat” – u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë shqiptare preku dhe nismën Ballkani i Hapur dhe shprehet se kjo është e ardhmja e vendit tonë dhe se Shqipëria është e detyruar ta ndërmarrë këtë hapë nëse do që të vazhdojë rrugën drejt BE-së.

“Dëgjova për Ballkanin e Hapur dhe jam i bindur se kjo nismë është ideja e duhur në kohën e duhur. Ne Shqipëria nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të vijojmë në shtjellimin e kësaj ideje. Ne fitojmë kohë nga e ardhmja, Ballkanin e Hapur do detyrohemi ta bëjmë, në momentin kur do të hymë në BE. Do të ishte një ekstra sforco dhe kohë e humbur. Duke e bërë sot, ne jo vetëm që ndërtojmë një hapësirë funksionale të 4 lirive të BE, i japim mundësi vetes të rrisim ekonominë tonë” – tha Rama.