MENU
klinika

'Me sytë' nga Gjermania

Reportazh/ Studentët shkodranë dynden në infermieri

14.10.2021 - 13:33

Të para si mundësi për të siguruar emigrim në Gjermani, tre degët mjekësore të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Shkodër u plotësuan të parat me studentë dhe qindra të tjerë janë në listë pritje, ndërkohë që degët e tjera janë braktisur.

Nga Emi Kalaja

Shumë degë në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër kanë vështirësi të sigurojnë studentë. Deri në mes të tetorit, 11 degë si gazetaria, historia, fizika dhe programe shkollimi të pedagogjisë kishin të regjistruar më pak se 10 studentë dhe rrezikojnë mbylljen. Në degët gjeografi dhe histori ka 0 të regjistruar, bazuar në të dhënat e siguruara nga BIRN.

Por situata paraqitet ndryshe në tre degët e studimit të lidhura me mjekësinë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku degë si Infermieria, Fizioterapia apo Infermieri Mamia kanë një numër të lartë kandidatësh ende pa përfunduar faza e parë.

Emiliano Pjetri, shef i Departamentit të Infermierisë në Universiteti “Luigj Gurakuqi” thotë se për shkak të kërkesës së lartë, ata bënë amendime për të shtuar edhe 20 kuota në këto degë.

“Në këtë raund u përmbush në masën 100 për qind programi i studimit Infermieri ku kemi pasur 100 kuota brenda vendit, dhe studimi për mami, ku kemi pasur 50 kuota brenda vendit,” tha Pjetri.

Fluksi i kërkesave për këto degë frymëzohet nga mundësia për të emigruar në Gjermani, më shumë sesa me ofertën e tregut shqiptar të punës. Shumë nga studentët që ndjekin këto degë zhvillojnë paralelisht kurse për të mësuar gjermanisht.

“Kam bërë punë vullnetare në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës, por kam zgjedhur që të vazhdoj kursin (e gjuhës gjermane), pasi spitalet shqiptare nuk ofrojnë punësim për studentët e rinj,” thotë Armela Abdyli, infermiere e licensuar.

Elvis Rroji, mësues i gjermanishtes në “Akademinë Dekra”, e cila i mundëson leksionet e gjuhës gjermane, thotë se në 5 vitet e fundit vetëm nga Shkodra kanë shkuar drejt Gjermanisë rreth 200 infermierë.

Sipas statistikave nga Zyra Federale e Statistikave, në vitet 2018 dhe 2019 në Gjermani u njësuan dhe u pranuan diplomat e 2460 infermierëve dhe punonjësve shëndetësorë nga Shqipëria.

Paulo Kaceri, kreu i Sindikatës së Infermierëve në Shkodër thotë se kjo “hemorragji” e këtij sektori nuk prek vetëm të rinjtë, por edhe infermierët që kanë 20-25 vite punë në këtë profesion. Ironikisht, ai thotë se në Spitalin e Shkodrës dëgjohet të flitet më shumë gjermanisht, pasi stafi praktikon gjuhën.

“Kjo dëshirë fatkeqësisht masive për t’u larguar drejt vendeve të zhvilluara vjen si pasojë e humbjes së shpresës nga të gjithë njerëzit, për më tepër nga profesionistët e shëndetësisë, të cilët punojnë me paga minimale në kushte pune aspak të favorshme,” thotë Kaceri. Ai shtoi se nga spitali janë larguar 35-40 infermierë.

Ndër ata që presin të largohen është edhe Renato Kola, i cili thotë se punoi mbi dy vjet si vullnetar në spitalin e Shkodrës, por thotë se kushtet e punës dhe paga e shtyjnë të ikë.

“Zgjedhja e vetme për ne si infermierë në profesionin tonë është Gjermania,” thotë Kola. Ai shton se edhe pse pati një eksperiencë të mirë në Spitalin e Shkodrës, mundësitë e punësimit janë mjaft të pakta dhe vendet e punës janë ose me mik, ose me para. “Të gjithë që bëjmë kurs jemi të licencuar, por politikat në vendin tonë shkojnë në favor të miqve dhe lekut,” thotë Kola, ndërsa është i ulur në klasën e gjermanishtes.

Infermierja tjetër, Armela Abdyli vë në dukje se veç pagës dhe mundësive të punësimit, infermierët në Shqipëri kishin edhe probleme të kushteve të punës.

“Aty (në spital) mungojnë kushtet e punës më së shumti, nuk ka sterilizim apo medikamente,” përfundoi ajo.

GJKKO e dënoi me 1.6 vite burg për dëmin 234 milionë lekë

Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i PS

Fermeri nga Shkodra: S'ka nevojë që të dal në treg!

“Kam shitur 24 ton qepë vetëm përmes Facebook”

EMRAT/ Arrestohet 38-vjeçari, në kërkim bashkëpunëtori

Zbulohen sera me kanabis në Velipojë, mbi 37 mijë fidanë

Shumëllojshmëri të jashtëzakonshme peizazhesh

“Viajeros”: 14 vendet e mahnitshme në Shqipëri

Aktiviteti i djalit të 62-vjeçares! Dëshmia e tij

Tritoli në Shkodër ishte paralajmërim! Pista e hetimit