MENU
klinika

Ka një paradoks

Sa do të dënohet FSHF nga FIFA për ndërprerjen e ndeshjes

13.10.2021 - 21:00

FIFA ishte e qartë sot në një deklaratë se do të tregohet e rreptë për ngjarjet që ndodhën gjatë ndeshjes Shqipëri-Poloni, ku u hodhën shishe uji ndaj futbollistëve polakë. Po sa rrezikon FSHF?

E para, një gjobë financiare të majme, që nis nga 50 mijë euro e mund të shkojë deri në 100 të tilla. Kjo është ajo që aplikon FIFA kur hidhen sende në fushën e lojës, në rast përsëritje është më e rëndë, por së fundmi Shqipëria nuk ka pasur ngjarje të tilla.

E dyta, dënimi i fushës për një ose dy ndeshje pa tifozë, si dhe paralajmërimi se, në rast përsëritje më vonë, t’i luajë ndeshjet në fushë asnjanëse. Kujtojmë sjelljen e tifozëve hungarezë, kur u dënuan me 2 ndeshje pjesëmarrje në fushën e tyre.

Ka edhe dicka, gjyqtari zbatoi deri në “grimcën” e fundit rregulloren. Situata mund të ishte qetësuar edhe me thjesht grumbullimin e futbollistëve në mesin e fushës, të pritej 2 minuta deri në qetësimin e situatës e të vazhdohej, por ai u nxitua me ndërprerje.

Përgjegjësia bie mbi masat e sigurisë, që te ne ka mangësi të theksuara. Që nga personalizimi i biletave, që ka mangësi. Pastaj te kontrolli i imtësishëm që duhet dhe mungesa e dënimeve të tifozëve, e individëve që konkretisht janë problematikë.

Shishet e ujit në Evropë janë të ndaluara rreptësisht. Shërbehet brenda stadiumit edhe birrë, por me gota plastike, ndërsa te ne paradoksi qëndron që në hyrje duhet të heqësh tapën dhe kur futesh brenda ka bare që shesin ujë me shishe me tapë (fatmirësisht jo shishe qelqi).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN