MENU
klinika

Nga Adriatik Doçi: Berisha drejt krijimit të një partie të re?

Si po tallet me demokratët me aksionin për rrëzimin e Bashës

05.10.2021 - 16:48

Partia Demokratike, subjekti i dytë më i madh politik në vend, edhe pse prej 8 vitesh në opozitës, po avancon drejt skenarit të ndarjes së mundshme në dy parti, një grup politik nën kontrollin e Sali Berishës, ndërsa tjetri nën drejtimin e Lulzim Bashës. Në aksionin e tij politik për të rrëzuar Lulzim Bashën, Sali Berisha ka mbledhur rreth vetes deri më tani 6 deputetë të Partisë Demokratike, si dhe një grup me ish-drejtorë të akuzuar për abuzime, nostalgjikë të pushtetit të tij, të zhgënjyer dhe personazhe të tjerë që janë mënjanuar nga strukturat drejtuese. Ndonëse ka një zbehjen të interesit publik për takimet e fundit, Sali Berisha vijon aksionin nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë, duke denoncuar ‘birin e tij politik’ si i pabesë, tradhtar, për dorëzim të sovranitetit të partisë tek amerikanët, si humbës serial, për bashkëpunim me Soros dhe Edi Ramën prapa krahëve etj.

Por, Sali Berisha vijon të mbetet i vendosur për të mos ndjekur rrugën statutore, për të tentuar shkarkimin e Lulzim Bashës dhe rrëzimin e vendimit të tij historik, për ta përjashtuar nga grupi parlamentar demokratike dhe rrjedhimisht nga Partia Demokratike. Statuti i Partisë Demokratike është tepër i qartë sa i takon rrugës për shkarkimin e kryetarit. Lulzim Basha mund të shkarkohet përmes një mocioni mosbesimi në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Pasi të sigurojë më shumë se sa gjysmën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha duhet të sigurojë edhe shumicën e Kuvendit Kombëtar të partisë, i cili me shumicë votash duhet të votojë mocionin e Këshillit Kombëtar.

Statuti i PD-së është i qartë edhe sa i takon rrëzimit të vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e Berishës nga partia. Berisha, Berisha ka të drejtë në bazë të statutit ta apelojë në Komisionin e Apelimit, Integritetit dhe Etikës në PD, komision i cili drejtohet nga Flutura Açka. Por, jo rastësisht, Sali Berisha refuzon të ndjekë rrugën ligjore, për të realizuar qëllimin që ka shpallur hapur para demokratëve; rrëzimin e Lulzim Bashës. Sali Berisha dhe mbështetësit e tij kanë nisur të mbledhin firma për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, në kushtet kur statuti aktual i PD-së, i votuar dhe i mbështetur nga vetë Berisha, parashikon një tjetër rrugë për shkarkimin e Bashës dhe rrëzimin e vendimit të tij.

Refuzimi i Berishës për të matur forcat me Lulzim Bashën në Këshillin dhe Kuvendin Kombëtar, krijon dyshime të forta se qëllimi i Berishës është krijimin i një formacioni politik, si shkëputje nga Partia Demokratike, për ta përdorur si mburojë përballë veprimit të mundshëm të drejtësisë së re, bazuar në dosjen amerikane të shpalljes non grata. Mbledhja e firmave për të mbledhur Kuvendin Kombëtar duket më shumë si një manovër për të fituar kohë dhe një tallje me demokratët, pasi statuti i PD-së parashikon një rrugë tjetër, madje më të shkurtër dhe të thjeshtë, për të tentuar shkarkimin e kryetarit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Të dënuar për vjedhje, të dënuar të shumëfishtë, zjarrvënës...

“Çunat problematik” të Lulzim Bashës