MENU
klinika

Ndeshja sot në 20:45

Si pritet të rreshtohen kuqezinjtë ndaj Polonisë

12.10.2021 - 10:59

Sot, për Kombëtaren shqiptare është “finalja” e madhe. Shqipëri-Poloni është një sfidë shumë e rëndësishme për vendin e dytë të grupit I, pasi kuqezinjtë nëse marrin një fitore, do të blindojnë pozitat, por çdo rezultat tjetër shkon në favor të polakëve.

Lajmi i keq para ndeshjes është se Sokol Cikalleshi ka dalë pozitiv me Covid dhe nuk do të jetë i disponueshëm, duke prishur planet e trajnerit Reja. Sulmuesi ishte projektuar titullar për sfidën e sotme, por tani llogaritë do të bëhen pa të në fushë.

Mungesë tjetër e rëndësishme është ajo e Berat Gjimshitit, i cili dje kreu operacionin në dorë dhe do të jetë një muaj jashtë fushave. Në mesfushë, për shkak kartonësh nuk është i gatshëm edhe Endri Çekiçi, një nga titullarët e ndeshjes në Hungari.

Gjithashtu, mungon edhe Bekim Balaj i dëmtuar para disa ditëve dhe Hoxhallari po ashtu i infektuar me Covid. Këta janë lojtarët që nuk do të jenë në dispozicion të Edi Rejës.

Kështu, Reja do të luajë pak a shumë me këtë formacion: në portë do të jetë përsëri Berisha, gjithashtu, linja e mbrojtjes me pesë do të përbëhet nga tri qendrat Ismajli, Kumbulla dhe Veseli, i cili do të zëvendësojë Gjimshitin dhe krahët do të plotësohen nga Hysaj dhe Trashi.

Përgjegjësitë e mesfushës do të jenë mbi shpatullat e Keidi Bares dhe Klaus Gjasulës, të cilët do të rreshtohen para mbrojtjes për të formuar një mur që do të ndalë dhe thyejë aksionet e lojtarëve polakë. Ndërsa Bajrami pritet të plotësojë treshen e mesfushorëve dhe të bëjë lidhjen e mbrojtjes me sulmin duke krijuar aksionet sulmuese të skuadrës.

Reparti i sulmit mendohet se është zgjidhur, performanca e Brojës në ndeshjen e fundit i jep atij një avantazh për ta nisur titullar dhe me shumë mundësi kështu do të jetë. 20-vjeçari pritet të hidhet nga minuta e parë në fushë, ndërsa mungesën e Cikalleshit në sulm pritet që ta zëvendësojë Rey Manaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN