MENU
klinika

Sulmuesi 15-vjeçar kuqezi

Talenti Flavio Sulejmani: Një ditë, pjesë e Kombëtares A

21.10.2021 - 19:26

Kombëtarja shqiptare U-17 është gati për tri ndeshjet e raundit kualifikues të “Europianit 2022” me 24 lojtarët e ftuar nga trajneri Ervin Bulku, të cilët po stërviten rregullisht në kompleksin Tropikal në Durrës për turneun zyrtar.

Një nga talentet e ekipit tonë kombëtar të kësaj grupmoshe është edhe Flavio Sulejmani, i cili aktivizohet në Itali me Perugia-n, ndihet mirë në këtë grumbullim, teksa nuk e fsheh dëshirën që një ditë të jetë pjesë e Kombëtares dhe të bëhet protagonist në arenën ndërkombëtare.

“Sigurisht ndihem i lumtur që jam këtu dhe me shokët e skuadrës shkojmë shumë mirë. Jam i emocionuar, por jam i bindur që do të bëjmë paraqitje të mira në Europian dhe të marrim po ashtu rezultate të mira.

Skuadrën e shoh në formë, objektivi ynë është ta nisim me fitore dhe të kemi sa më shumë gjëra të bukura në këtë Europian. Dëshiroj shumë që një ditë të luaj me Kombëtaren A dhe të bëhem një nga futbollistët më të rëndësishëm të Shqipërisë”, – shprehet Sulejmani.

Flavio qëndron me këmbë në tokë, e di që e pret një punë e madhe, ndaj do t’i bëjë hapat një e nga një. Edhe pse vetëm 15 vjeç, ai po ndiqet me interes nga trajneri Bushi, për ta afruar direkt në Kombëtaren U-21.

Përfaqësuesja U-17 do të udhëtojë drejt Irlandës së Veriut teksa më datë 27 tetor do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Italisë. Më datë 30 tetor kuqezinjtë do të sfidojnë Skocinë dhe më datë 2 nëntor përballen më vendasit e Irlandës së Veriut.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN