MENU
klinika

Çon për gjykim këta zyrtarë të Mininistrisë së Brendshme

Tenderi për uniformat e Policisë, SPAK mbyll hetimet

12.10.2021 - 09:57

Drejtori i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Punëve të Brendshme, anëtarët e Njësisë së Prokurimit si dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave janë dërguar për gjykim në Gjykatë të hënën e 11 tetorit, pasi SPAK mbylli dosjen dhe hetimet për ta. Zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

SPAK hetoi mbi procedurën e prokurimit për blerjen dhe shpërndarjen e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milion e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH).

Nga hetimi që ka kryer SPAK, thotë se ka dalë në përfundim që të pandehurit kanë rezultuar veprime të kundërligjshme dhe “në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cënimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta”.

PROKURORIA E POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR
TIRANË

NJOFTIM PËR SHTYP

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datë 11.10.2021 ka paraqitur kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.174/1 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurve E.N.; F.Ç.; A.B.; A.M.; A.O.; F.D.; K.H.; K.B.; M.B.; G.M., akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Nga aktet e administruara ka rezultuar se me datë 11.05.2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milion e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH).

Nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga: titullari i Organit Qëndror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, E.N., në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit F.Ç.; A.B.; A.O.; K.H.; A.M.; si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave K.B.; F.D.; M.B. dhe G.M., të cilët, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cënimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta.