Chelsea bindi në sfidën e tretë të grupit në Champions League, duke fituar 4-0 në shtëpi me Malmo. Por trajneri Tuchel humbi dy nga sulmuesit kryesorë të skuadrës, fillimisht Romelu Lukakun dhe pastaj Timo Verner, të dy brenda 45 minutave të para.
Nuk dihet ende shkalla e dëmtimit të tyre dhe koha e rikuperimit, teksa Blutë londinezë kryqëzojnë gishtat për një rikthim të shpejtë. Kjo ka sjellë shumë shqetësim në radhët e klubit që do të duhet të bëjnë ndoshta disa javë pa sulmues kryesorë.
Tifozët londinezë kërkojnë në rrjetet sociale afrimin në skuadër të sulmuesit të Kombëtares, Armando Broja që ndodhet në huazim te Southampton. Edhe pse mund të ekzistojë një marrëveshje mes dy klubeve, Premier League nuk e lejon pa ardhur janari.
Armando Broja ishte protagonist fundjavën e kaluar, duke shënuar golin e parë në Premier League, që i dha Southampton fitoren e parë në kampionat. Sulmuesi shqiptar po fiton terren gjithmonë e më shumë që pas performancave fantastike me Shqipërinë.