Deklarata e bërë nga Kryeministri Edi Rama në emisionin “Zonë e Lirë” në Televizionin Klan se Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është në ëndrrat e tij, ka shkaktuar reagime të forta në Beograd.
Ministri i Brendshëm serb Aleksandër Vulin në një prononcim për mediat, ka kërkuar nga Bashkimi Europian dhe institucionet e tjera ndërkombëtare që të dënojnë këto deklarata, të cilat sipas tij kanë si synim krijimin e Shqipërisë së Madhe.
“Kur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se detyra e karrierës së tij politike është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën të gjithe heshtin. Kur unë, i cili nuk jam Kryeministër i Serbisë, thërras në emrin tim për unitetin politik të të gjithë serbëve, atëherë i gjithë rajoni reagon dhe BE ka diçka për të thënë”, deklaroi Aleksandër Vulin.
Ai thotë se pengesa e vetme për ‘Shqipërinë e Madhe’ është krijimi i një “bote serbe”.