MENU
klinika

Gara për balotazh

Zaev nuk veçon mes BDI-së dhe Lëvizjes Besa

24.10.2021 - 12:02

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, nuk preferon të zgjedhë mes dy partnerëve shqiptarë të Koalicionit BDI dhe Lëvizjes Besa që do të garojnë mes tyre në balotazh.

Kreu i LSDM-së tha se në komunat ku ka garë mes këtyre dy partive si në Tetovë dhe Zhelinë, zgjedhja do të jetë e votuesve.

LSDM-ja konfirmoi mbështetjen për kandidatët e BDI-së në të gjitha komunat ku ajo garon me opozitën.

“Në Strugë i japim mbështetje Ramiz Merkos, në Kërçovë i japim mbështetje Fatmir Deharit, në Gostivar i japim mbështetje Nevzat Bejtës, në Çair mbështesim Visar Ganiut dhe anasjelltas në komunat tjera, siç edhe presim mbështetje. Atje ku janë dy partnerët tonë të koalicionit BDI dhe Besa lëmë qytetarët vetë të vendosin”, deklaroi Zoran Zaev.

Opozita shqiptare ndërkohë vazhdon konsultimet brenda partiake lidhur me bashkëpunimin e mundshëm me lëvizjen BESA në Tetovë por edhe në disa komuna tjera ku janë në balotazh me kandidatët e BDI-së.

Nga Aleanca për Shqiptarët, disa herë kanë theksuar mbështetjen për kandidatin e Lëvizjes BESA në Tetovë por kjo do të te vendoset perfundimisht pas konsultimeve mes aleatëve në opozitë.

VMRO-DPMNE nga qytetit i Ohrit bëri të ditur se në balotazh do të mbështes të gjithë kandidatët, që sipas saj kësaj partie, janë kundër pushtetit aktual, përfshirë edhe atë kandidatin e pavarur në Kumanovë.