MENU
klinika

ANALIZË EKONOMIKE

Zgjidhja për krizën e çmimeve

14.10.2021 - 15:03

Dr (c). Igli Tola,

Pedagog, Fakulteti i Ekonomisë UT

Opinioni publik gjithë këto ditë ka ndjekur me shqetësim zhvillimet lidhur me rritjen e çmimeve të ‘utilities’; duke nisur nga energjia elektrike, karburantet e deri te shporta ushqimore. Krizë kjo me përhapje globale, por që në ekonomi të brishta si e jona bëhet akoma më e ndjeshme për qytetarët, si aktori kyç i ekonomisë.

Që një krizë e këtyre përmasave do të vinte, kjo për ekspertët e ekonomisë ishte thjeshtë çështje kohe; Pasi paratë e lira të injektuara artificialisht në ekonomi për të ‘kuruar’ një krizë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse ushqejnë ‘metastazat-embrionet’ e një krize të re. Paketat në ndihmë të individëve dhe bizneseve për të zbutur efektet e pandemisë, ku nga një përllogaritje mbi 10.4 trilionë dollarë u alokuan në një vit, nxitën kërkesën globale për mallra e shërbime.

Nga ana tjetër jemi dëshmitarë të gjithë që oferta këtë vit është proporcionalisht më e ‘tkurrur’: shumë zinxhirë prodhimi u ndërprenë, fabrika punuan nën kapacitet, kultura bujqësore nuk u mbollën etj. Kujtojmë lajmet për fabrika, kryesisht në Kinë e Indi që pezulluan për disa kohë punën për shkak të numrit të lartë të punonjësve të infektuar. Pastaj, kanali i Suezit në Egjipt u bllokua për ditë të tëra, porti më i madh kinez Ningbo-Zhoushan u mbyll për pasojë të punonjëve të infektuar duke shkaktuar amulli në transportin dhe tregtinë ndërkombëtare. Lidhja e prodhuesve të ‘Lindjes së Largët’ (Kinë-Indi) me tregjet e konsumit (Europë-SHBA) po bëhej e vështirë dhe tejet e kushtueshme, ku për ta ilustruar me një shembull konkret: çmimi për konteiner vajti nga 2.000$ në 20.000$ brenda vitit.

Një ‘ciklon’ i këtyre përmasave goditi “Ligjin Kërkesë-Ofertë” do të impononte padiskutim rritje drastike çmimesh, inflacion të lartë/tatim indirekt; pra me pak fjalë varfërim të individëve dhe familjeve. Fenomen ky që siç e sqaruam që në hyrje, në vende me shkallë papunësie dhe varfërie të lartë; ku kujdesi social, solidariteti dhe kohezioni janë pak ose aspak prezent pritet të lërë ‘pasoja’ të rënda.

. . .

‘Ekonomia e mungesës’ është kërcënimi real tanimë. Në objektiv të politikbërësve duhet të jetë mbrojtja e atyre shtresave (individëve) që preken më shumë dhe më shpejtë, e sidomos për një kohë më të gjatë nga pasojat e krizës: rritja e çmimeve për produktet jetike bazë. E për ta arritur këtë gjë, nuk kemi nevojë ‘të shpikim rrotën’, por vetëm të shohim dhe aplikojmë çfarë bëjnë vendet e suksesshme. Sipas studimeve kur ndërtohen paketat anti-krizë, efektiviteti i tyre maksimizohet kur 1/3 e barrës fiskale shkon si rritje e taksave dhe 2/3 si shkurtim i shpenzimeve. Ndaj, edhe për të përballuar krizën e tanishme duhet që hapat e ndërmarrë të mos cënojnë këtë ‘raportin e artë’ 1/3 – 2/3.

1/3 e parave që do të vihen në dispozicion për kapërcimin e krizës duhet tu sigurohen aktorëve ekonomikë duke u reduktuar barrën tatimore (taksa-tatime), dhe 2/3 duke rritur shpenzimet e mbrojtjes sociale.

Vetëm ulja e taksa nuk sjell efekt, këtë e dëshmon teoria, por e kemi provuar në vetë të parë si shqiptarë në më shumë se 2 raste përgjatë këtyre viteve. 2009 ishte viti kur qeveria Berisha e asaj kohe hoqi TVSH-në për shërbimet arsimore. Nisëm që u justifikua se do të sillte ulje çmimesh (tarifa e studimit) për studentët duke lehtësuar familjet shqiptare. Vazhdimi i historisë dihet, taksa 20 % u bë 0, por tarifat në universitete private, jo vetëm që nuk u ulën por u rritën. E vetmja gjë që u arrit nga qeveria ishte transferimi i 5 milionë dollarëve çdo vit nga taksat e qytetarëve tek llogaritë-xhepat private të pronarëve të universiteteve.

Ndërsa në vitin 2017, ishte rradha e qeverisë socialiste për të ‘tentuar të patentueshmen’, uljen e TVSH-së. Hoteleve iu hoq TVSH-ja për fjetjen, me lajtmotivin se do të nxitej turizmi dhe do uleshin shpenzimet e pushuesve. Ama siç (nuk) pritej në 2018 INSTAT pohoi se çmimet e fjetjes në hotel u rritën mesatarisht me 4.7 %.

. . .

Në po këtë linjë logjike ecën edhe literatura, ku përdorimi i taksave si instrument për masa sociale është një politikë jo fortë e këshilluar. Një sepse ulja e taksave nuk shkon shpesh në ‘xhepat’ e konsumatorëve, por mbetet si fitim tek tregtarët dhe prodhuesit. Së dyti, edhe sikur ulja e taksave të reflektohej plotësisht në uljen e çmimeve, ata që do të përfitonin më shumë, nuk do të ishin të varfërit, apo shtresat e tjera në nevojë; por ata që konsumonin më shumë: domethënë shtresa e pasur. Pra kontekstualisht, ulja e taksave (në rastin tonë TVSH, apo te karburantet edhe taksat e tjera shoqëruese) nga një politikë me fokus social, kthehet në një instrument regresiv që favorizon të pasurit duke ‘brejtur’ buxhetin e shtetit.

Së treti, po ti shkojmë më tej analizës, për prodhimet agro (bujqësore dhe blegtorale) ulja e TVSH-së apo taksave të tjera e ‘falimenton’ fermerin apo blegtorin vendor nga Vermoshi në Konispol. Domatja, mielli, veza, qumështi e djathi vendas do të ‘nxirrej off-side’ nga produktet serbe e maqedonase, që do të hynin në doganë pa TVSH dhe do të ‘pushtonin’ tregun vendas.

Politikat sociale janë goxha më efektive në kahun e shpenzimeve. Për të mos ndikuar mirëqenien e qytetarëve, rritjen e ‘pa-rregulltë’ të çmimeve, qeveria i kompeson shtresat në nevojë dhe jo vetëm, duke rritur shpenzimet buxhetore për mbrojtje sociale. Kjo politikë është tejet efikase dhe targeton pikërisht ata që kanë nevojë realisht, duke mos shpërdoruar para publike për të ‘ndihmuar’ të kamurit. Konkretisht, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, pagesa mujore tu indeksohet me një koefiçent që ekuivalenton shpenzimet e rritura të familjes për energji elektrike, ujë, gaz, ushqimet e shportës bazë etj. E njëjta formulë të aplikohet edhe për pensionistët, pagesat e invaliditetit dhe punonjësit me të ardhura nën mesatare.

PhD(c). Ll M. Igli Tola
Pedagog, Ekspert Ekonomik

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


ANALIZË EKONOMIKE

Ne taksapaguesit dhe shteti