MENU
klinika

“As i vjetër, as i ri, jam thjesht lek”

BSH nis fushatën për ndryshimin e terminologjisë

17.11.2021 - 12:36

“Monedha jonë nuk është as e vjetër dhe as e re, është thjesht lek”. Kështu deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko për të promovuar fushatën për ndryshimin e terminologjisë për vlerën e lekëve.

Në fakt një problematikë prej dekadash, çështja e lekëve ‘të reja’ dhe ‘të vjetra’ në Shqipëri dhe për të ndryshuar njëherë e mirë këtë gjë, BSH kërkon dhe ndihmën e mediave, shkollave e institucioneve.

“As i vjetër e as i ri, jam thjesht lek!”, është fushata e çelur nga BSH, një iniciativë që synon edukimin financiar të publikut dhe çrrënjosjen e termave “lek i ri” dhe “lek i vjetër”.


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se këto terma shkaktojnë konfuzion. Nga një anketë ka rezultuar se për vlerën ‘500 lekë’, 54% e të anketuarve thonë “5 mijë”.

“Komunikimi i gabuar ndodh më rrallë në institucione. Disa kategori flasin më shumë me ‘lek të vjetër’. Vlera e kartëmonedhës është ajo e shkruar mbi të. Të mos e çojmë këtë mesazh të gabuar te brezi i ri. Ta lëmë pas përgjithmonë terminologjinë e gabuar”, tha Sejko.