MENU
klinika

I dyshuari refuzon të flasë për policinë

Akuzohet se vrau 25-vjeçarin në Korçë

17.11.2021 - 12:35

Gazetarja Lorena Kodra, sjell për “BalkanWeb”, detaje nga arrestimi i autorit të dyshuar për vrasjen e 25-vjeçarit Fridman Xhaferri.

Sipas gazetares, autori i dyshuar, Kristi Bixheku, nuk ka pranuar të flasë për uniformat blu. Burimet policore, bëjnë me dije për gazetaren Kodra, se Bixheku, ka thënë se do të flasë në prani të avokatit të tij në një moment të dytë. Ditën e djeshme, gjatë arrestimit të tij, avokati i 26-vjeçarit ka qenë i pranishëm në rezervuar.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë, ku i implikuar është Bixheku dhe një bashkëpunëtor i tij i shpallur në kërkim, ka ndodhur në 13 qershor të këtij viti, në rezervuarin e Gjançit në Korçë. Në këtë hapësirë ujore, është gjetur i pajetë trupi i 25-vjeçarit Fridman Xhaferi. Ai ishte pa shenja jete dhe me plagë të mëdha në kokë. Plagët, dyshohet se janë shkaktuar nga Bixheku dhe bashkëpunëtori i tij Lulëzim Spahija, i cili është ende në kërkim.

Ndërkohë nga ana e policisë po vijon puna për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të Spahijës ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.