“The New York Herald” ka botuar, të martën e 3 janarit 1933, në faqen n°5, deklaratën e Sir Robert MacLeode Hodgson (ambasador i Britanisë së Madhe asokohe në Shqipëri) mbi arritjet e kombit tonë, nën udhëheqjen e mbretit Zog, që Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Diplomati përshëndet përparimin shqiptar; Kujton anarkinë e 20 viteve më parë
Tiranë, e hënë. — Vlerësimi i Evropës për përparimin e shpejtë që ka bërë Shqipëria nën mbretërimin e mbretit Zog I u ilustrua këtu në festën kombëtare, kur Sir Robert MacLeode Hodgson, ministër britanik dhe dekan i trupit diplomatik, bëri një homazh sinjalizues për vendin.
Burimi : The New York Herald, e martë, 3 janar 1933, f.5
Në prani të monarkut, i cili argëtoi diplomatët, Sir Robert kujtoi çrregullimin dhe prapambetjen e Shqipërisë 20 vjet më parë.
“Ne, unë bashkë me kolegët, e shohim me sytë tanë përparimin e këtij vendi,” – tha ai.
“Njëzet vjet më parë, anarkia ishte rregulli i vetëm, të gjitha llojet e ndërlikimeve dobësonin kombin, nuk kishte mjete qarkullimi dhe nuk bëhej fjalë për një qeveri qendrore.”
“Tashmë rendi dhe paqja janë siguruar, një rrjet rrugësh krejt i mbaruar ose në ndërtim, e ka hapur (zhvilluar) vendin, shkollat dhe gjykatat e drejtësisë ekzistojnë kudo dhe është krijuar një sistem administrimi në të gjitha degët.
Në një 20 vjet, Shqipëria arriti të ngjitet në vendin e duhur.”
“Unë jam për të gjitha reformat që janë të dobishme për komoditetin dhe prosperitetin e Shqipërisë,” – tha mbreti Zog, para asamblesë.
Spitale të reja janë ndërtuar, po hapen shkolla, po kultivohen arat dhe lindi një letërsi e re shqipe. Është formuar shoqëria e arteve, ndërsa një teatër kombëtar dhe akademi muzikore, pritet të pasojnë institutin e ri dramatik, çelur së fundmi, në Tiranë.