MENU
klinika

Ministri rus i Mbrojtjes

“Anija amerikane nuk ka ardhur për qëllime turistike në Detin e Zi”

08.11.2021 - 09:33

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu tha se “anija e armatosur e SHBA-së nuk ka hyrë në Detin e Zi për qëllime turistike”.

Shoygu në programin “Moska.Kremlini.Putini” i publikuar në kanalin televiziv shtetëror Rossiya-1 dha deklaratë lidhur me hyrjen në Detin e Zi të anijes amfibe të komandës dhe kontrollit “USS Mount Whitney” që i përket Marinës së SHBA-së.

“Situata kuptohet, kur një anije që nuk i përket forcave rajonale hyn në Detin e Zi. Kur shohim se një anije ka armë me ndjeshmëri të lartë me rreze të gjatë veprimi, e kuptojmë se kjo anije nuk ka ardhur në Detin e Zi për një udhëtim turistik. Sigurisht që ne po ndjekim dhe po e shoqërojmë atë. Dhe kuptojmë që mund të ndodhë çdo provokim në çdo kohë, në çdo moment. Pikërisht në mënyrë të njëjtë si me anijen britanike pak kohë më parë. Këtë e kuptojmë dhe sigurisht nuk lejojmë gjëra të tilla”, tha Shoygu.

Ai tha se SHBA-ja po përpiqet të sprovojë Rusinë. Shoygu vuri në dukje se anija amerikane ka për qëllim të kontrollojë se sa e përgatitur është ushtria e Rusisë, se sa mirë janë instaluar sistemet e vendosura përgjatë Detit të Zi dhe në rajonin jugor të vendit.

Edhe Rusia do të kryejë stërvitje

Ministri rus Shoygu potencoi se SHBA-ja nuk është vetëm në veprimet e saj për këto kontrolle dhe se SHBA-ja do të kryejë stërvitje ushtarake me fqinjët e Rusisë me marinën e Gjeorgjisë dhe Ukrainës në Detin e Zi.

“Edhe ne kryejmë dhe do të kryejmë stërvitje ushtarake”, tha Shoygu.

Anija amfibe e komandës dhe kontrollit e emërtuar “Mount Whitney” që i përket marinës së SHBA-së, hyri në Detin e Zi më 4 nëntor. Ministria ruse e Mbrojtjes kishte deklaruar se po monitorojnë manovrat që do të kryejë anija./