Nga Roberto Vivaldelli “Il Giornale”
Ai është rikthyer. Barack Obama është rikthyer në rrugën e duhur. Dhe këtë herë jo vetëm për të promovuar biografinë e tij apo një libër të ri me rokerin dhe mikun e ngushtë Bruce Springsteen, por për një mision shumë më të vështirë dhe kompleks:të nxitojë në shpëtimin e ish-zëvendëspresidentit të tij Joe Biden dhe establishmentit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara.
Ditët e fundit, ish-presidenti shkoi në Virxhinia për të mbështetur kandidaturën e demokratit Terry McAuliffe për guvernator kundër republikanit Glenn Youngkin, përpara zgjedhjeve të 2 nëntorit. Këto zgjedhje ishin një test vendimtar për Biden, në një kohë që sigurisht nuk është shumë e lehtë për presidencën e tij pas largimit katastrofik nga Afganistani, dhe shfaqjes së valës të pestë të Covid-19.
Por ajo që ka vërtet rëndësi është se Obama tani është një nga protagonistët e mëdhenj të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike që po mbahet në Gllasgou të Skocisë:një vitrinë ndërkombëtare që duhet shfrytëzuar për të rikthyer lavdinë dhe autoritetin e Amerikës për një çështje popullore siç është ndryshimi klimatik.
Obama del në skenë në konferencën për klimën
Siç raporton CNN, kjo është një paraqitje “shumë e pazakontë” për një ish-president. Por njerëzit pranë Obamës, argumentojnë se ish-banori i Shtëpisë së Bardhë, dëshiron që ta ndihmojë Joe Biden që të rifitojë besimin botëror në udhëheqjen amerikane për çështjen e ndryshimit të klimës.
Sipas ish ndihmësit të Hillary Clinton, John Podesta, në dallim nga Biden, Barack Obama
ka “shumë admirues në nivel global”, dhe “të rinjtë e shohin atë si një burim frymëzimi”. Sërish sipas CNN, prania e Obamës në samitin e COP26, u sugjerua nga aktivistët e klimës dhe ndjekësit e Greta Thunberg. Por u bë realitet pas një bisede midis Biden dhe John Kerry, i dërguari special i presidentit të SHBA për klimën.
Madje disa analistë spekulojnë se ish-presidenti mund të zërë vendin e Kerrit. Ish-presidenti do ta kalojë pjesën më të madhe të kohës së tij në Gllasgou me të rinjtë. Në partneritet me fondacionin e tij dhe Shkollën e Klimaws në Universitetin të Kolumbias, ai do të organizojë një panel diskutimi me aktivistë, dhe do të nxisë udhëheqësit e biznesit që të përshpejtojnë investimet e tyre në energjinë e pastër.
Sondazhet e tmerrshme për Joe Biden (dhe Kamala Harris)
Arsyeja pse presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden kërkoi ndihmën e Obamës është më se e qartë:administrata e tij nuk arrin që të fitojë zemrat e amerikanëve. Një sondazh i fundit nga televizioni NBC News, zbulon se 54 për qind e amerikanëve nuk e miratojnë qeverisjen e deritanishme të Biden.
Ndërkohë71 për qind e të anketuarve, duke përfshirë 70 për qind të të pavarurve, madje edhe 48 për qind e demokratëve, besojnë se “kombi po shkon në drejtimin e gabuar”. Siç vë në dukje Axios, Shtëpia e Bardhë shqetësohet sidomos nga një fakt tjetër.
Vetëm 18 për qind e të anketuarve e mbështesin fort Biden, ndërsa thuajse gjysma (46 për qind) janë kundër tij. Kompania e njohur e sondazheve Gallup, pohon se shkalla e miratimit prej 42 për qind për Biden gjatë së njëjtës periudhë të mandatit, është aq e ulët sa nuk është parë që nga koha e presidentit Eisenhower (1953).
Ndërsa sipas RealClearPolitics shkalla e mosmiratimit është 52 për qind (në FiveThirtyEight është 51 për qind). Dhe sipas Politico, Joe Biden është “po aq jopopullor sa Donald Trump”.
Një performancë disi zhgënjyese për një president të zgjedhur me një rekord historik prej 80 milionë votash.
Po për sa i përket popullaritetit të zëvendëses së tij Kamala Harris? Edhe popullariteti i saj është në rënie të lirë, siç kemi pasur rastin ta analizojmë javët e fundit. Këtë tendencë e konfirmojnë edhe sondazhet e ditëve të fundit. Sipas RealClearPolitics,vetëm 42 për qind e amerikanëve e miratojnë punën e saj, ndërsa 51 për qind janë kundër.
Me këto shifra është e qartë se Joe Biden nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveçse t’i drejtohet për ndodh më një figure karizmatike si Obama, për të rifituar një farë konsensusi në mesin e demokratëve, në kushtet kur po afrojnë zgjedhjet e mesit të mandatit në vjeshtën e vitit të ardhshëm. Do të ishte shumë e rrezikshme qëtë çimentohej klima e mosbesimit, që tanimë ekziston edhe në mesin e mbështetësve të tij.