Shkencëtarët dalin në përfundimin se sëmundja e Alzheimerit përparon në trurin e njerëzve të prekur, në mënyrë krejt ndryshe nga sa njihet deri tani.
Studiues nga Universiteti i Kembrixhit dhe Shkolla Mjekësore e Universitetit të Harvardit u shprehën se nuk fillon në një zonë të trurit, për t’u përhapur më pas te të tjerat.
Tashmë, kanë prova të forta për të besuar se grupet e proteinave toksike, përgjegjëse për Alzheimerin, prekin rajone të ndryshme të trurit e grumbullohen aty gjatë dekadave. Deri tani, mendohej se sëmundja zhvillohej vetëm në një pjesë, por zbulimi i ri sugjeron se përparon paralelisht në disa të tilla, në tru.
Rezultatet u publikuan në revistën “Science Advances”, ndërsa kërkimi është i pari që përdor të dhënat njerëzore për të përcaktuar shpejtësinë e proceseve molekulare që çojnë në sëmundjen e Alzheimerit.
Studiuesi Georg Meisl:
Më parë është menduar se Alzheimer zhvillohet në mënyrë të ngjashme me tumoret, pra formohet në një rajon e më tej përhapet në pjesë të tjera të trurit. Por në vend të kësaj, ne zbuluam se Alzheimer fillon me prani, në rajone të shumta të trurit. Përpjekja për të ndaluar përhapjen mes rajoneve të tij do të rezultojë pak e suksesshme.
Studimit iu nënshtruan 100 persona që jetojnë me sëmundjen, si dhe u analizuan mostra nga truri i 400 njerëzve, të cilët vdiqën me Alzheimer. Më parë, ekzistonte teoria se sëmundja përparonte përmes një reaksioni zinxhir që prekte pjesë të ndryshme të trurit. Një teori e tillë mbështetej në hulumtimet e bëra te minjtë e besohej se e njëjta ndodhte edhe te njerëzit.