MENU
klinika

Ismailaj u mor i pandehur nga SPAK,

Braçe në mbrojtje të kryebashkiakut të Mallakastrës

02.11.2021 - 11:48

Deputeti Erion Braçe i ka dalë në mbrojtje kryebashkiakut socialist Qerim Ismailaj, pasi ky i fundit është marrë i pandehur nga Gjykata e Posaçme kundër krimit nën akuzën e falsifikimit të vulave e stampave referuar formularit të dekriminalizimit, ku nuk kishte deklaruar një dëmin në Greqi 21 vite më parë. I indinjuar Braçe shkruan se dekriminalizimi po shërben si amnisti për gangsterët e vërtetë të politikës dhe ata që janë bërë mbret përmes krimit dhe parave të pista, dhe po godet ata që kanë emigruar dhe kanë kërkuar pagën e tyre për punë e bërë.

“Edhe një herë, gangster nuk je kur emigron, punon si i tillë, kërkon të paguhesh për punën që bën. Poooo, faj është të kërkosh të paguhesh për punën që kë kryer edhe me forcë-nëse provohet e tillë. Por gangster në politikë nuk je! Gangster je kur: Emigron, punon në punë të pista duke ju dhënë krimit me gjithë fuqinë tende, vjedh makina dhe i trafikon, trafikon drogë e armë, siguron të ardhura pa masë dhe kthehesh në vendin tënd ku, me ato para, ble këdo që merr vendim të të bëj udhëheqës politik, me ato para ble vota cep e më cep të territorit politik ku të kanë bërë Mbret! Dekriminalizimi për fat të keq po shërben si amnisti për gangsterët e vërtetë të politikës”, shkruan Braçe.

Ditën e djeshme GJKKO vendosi të marrë të pandehur Qerim Ismailaj, kryebashkiaku Mallakastrës pasi kishte fshehur një dënim me 3 vite burg në Greqi, të ndodhur 21 vite parë. SPAK bëri me dije se i ka komunikuar akuzën Ismailajt për falsifikim të vulave e stampave referuar formularit të dekriminalizimit.

Qerimaj u denoncua nga PD, ndërsa letër-porosia e autoriteteve greke zbuloi dënimin e dhënë për ngjarjen e vitit 1999 për rrahje ndaj një personi. Me ndryshimet ligjore dhe ngritjen e SPAK, ky është zyrtari i parë i cili nga ligji i dekriminalizimit merret i pandehur nga SPAK, ndërsa më herët kanë qenë Prokuroria e Tiranës.

Prokuroria e Përgjithshme ia dërgoi gjetjet KQZ më 2 korrik 2021 e cila vendosi ta lërë në detyrë Qerim Ismailajn me argumentin se dënimi penal dhënë në Greqi në Shqipëri është dënim vetëm me gjobë.