Trajneri i Kombëtares, Edy Reja, në konferencën për shtyp prag sfidës me Anglinë u shpreh se Shqipëri do të bëjë një figurë të mirë, duke pranuar forcën e Anglisë…
“Të gjitha ndeshjet nisen për të fituar. Sigurisht Anglia është një skuadër me vlera të mëdha, nga pikëpamja individuale dhe kolektive. Sa më përket mua, mendoj se duhet bërë një ndeshje perfekte.
Ne kemi konsideratë, por kemi ardhur për të bërë një figurë të mirë, për të luajtur mirë dhe për të bërë rezultat, siç kemi bërë gjatë gjithë këtij edicioni.
Këtu mendova për Mancinin se Italia ka fituar këtu, ai ka hapur rrugën për ne, meqë i sjell fat Italisë dhe italianëve. Ndoshta edhe fati do të kthehet nga ne. Unë e kisha parashikuar Anglinë fituese, por Italia e meritonte.
Pas golit të parë u duk se Anglia do të bënte edhe 3-4 por pastaj u mbyll, Italia bëri mirë e meritoi të fitonte. Urojmë që nesër fati të jetë në anën tonë se ka gjithmonë një herë të parë.
Anglia – Vlerat e Anglisë i njohim, por gjatë javës kam punuar për ekuilibrat e skuadrës dhe nga kjo pikëpamje kemi punuar mirë. Sigurisht nuk duhet vetëm të presim gjatë gjithë ndeshjes, duhet të krijojmë vështirësi. E njohim forcën tonë, edhe të Anglisë, janë favoritë.
Duhet personalitet në një ndeshje të tillë, edhe pse është në Wembley, pse të mos mendojmë se fusha është njëlloj dhe të jemi pa frikë. Uroj që lojtarët e mi të mos kenë frikë dhe luajnë për atë që janë përgatitur. Kemi nevojë të jemi të ekuilibruar, të jemi perfekt në 100%, jo vetëm ata që zbresin në fushë nga fillimi, por edhe ata nga stoli.
Mendoj se skuadra për atë që ka bërë deri tani ka bërë mjaft mirë. Kemi bërë ndonjë gabim më shumë se sa duhet, sidomos në ndeshjet me Poloninë, se me ndonjë gabim më pak do të ishim sot duke folur për Botërorin. Edhe pse nuk është thënë ende fjala e fundit, kemi ende mundësi, por duhet të fitojmë, edhe pse ka pak shanse, do të mundohemi t’i realizojmë.
Broja? Jam mësuar t’ua them formacionin lojtarëve në ditën e ndeshjes, nuk mund ta them sot. Dyshimet janë gjithmonë, por kemi punuar shumë mirë ndaj kam vështirësi zgjedhje, uroj dhe shpresoj që nesër të hedh në fushë ekipin më të mirë.
Sa i përket Brojës, qëndroi këtu të kurohej për kaviljen, por sot e nesër do të shohim se si është, do të jetë në fushë apo jo. Nuk është titullar, por do të shohim gjendjen e tij.
Stërvitja larg Wembley – Kishte shumë rrugë për të bërë rreth 1 orë e gjysmë nga hotelit te stadiumi. Edhe nga aeroporti ishte 2 orë e gjysmë nga hoteli, ishim gjithë ditën rrugës ndaj gjetëm këtë zgjidhje praktike që nuk ndryshon gjërat.
Cikalleshi në vend të Berishës si kapiten? Jo, do të dëshiroja të ndryshoja sjelljen, të flisnin pak të gjithë, jo vetëm kapiteni. Ishte e drejtë që të njiheshin të gjithë, në varësi të momentit, se si është situata e njërit apo tjetrit.
Wembley – Eshtë tempulli i futbollit, prej shumë vitesh e njoh këtë realitet dhe jam shumë mik i Kapelos dhe ai më ka treguar se çfarë përfaqëson Uembli për futbollin ndërkombëtar ndaj do të jem i emocionuar.
Ka të drejtë Cikalleshi se kur luhet në këto stadiume duhet të tregosh të gjithë karakterin tënd. Mançini ka fituar, Kapelo ka shënuar gol dhe Italia fitoi 1-0 këtu. Nuk ka 2 pa 3, ndaj urojmë që të vijë rezultati edhe për ne. E di që do të ishte e vështirë, por mrekullitë me raste ndodhin”, tha Reja.