Projektligji i buxhetit 2022 planifikon të injektojë në ekonomi një shumë prej 637 miliardë lekësh, ose 5.1 miliardë euro (5% më të larta se plani i këtij viti). Kjo shumë është 2.2 miliardë euro, ose 75% më e lartë se shpenzimet buxhetore të vitit 2010, por ndërkohë përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve nuk janë rritur me të njëjtin trend. Zërat sensitivë, që lidhen me mbështetjen e shtresave në nevojë, janë tejet të nënvlerësuar, ndërsa mungojnë produktet e financuara nga shpenzimet kapitale.

Për shembull, shpenzimet për pagesën e papunësisë në vitin 2022 mbeten më të ulëta se në vitin 2020. Qeveria planifikon si mbështetje financiare për të papunët 900 milionë lekë vitin që vjen, nga 982 milionë që ishin pagesat në këtë zë në vitin 2010.

Gjithashtu fondet për ndihmën ekonomike, që mbështesin shtresat më në nevojë të vendit, u rritën me ritme shumë më të ulëta se shpenzimet e përgjithshme buxhetore në këtë dekadë. Vitin që vjen, qeveria planifikon të shpenzojë 24.7 miliardë lekë për ndihmën ekonomike, ose 47% më shumë se në vitin 2010, por ky zë është planifikuar 5% më i ulët se plani i këtij viti.

Me ritme më të uetla se shpenzimet e përgjithshme buxhetore janë rritur edhe pagat e administratës, që mund të konsiderohet një rishpërndarje e drejtpërdrejtë e taksave. Në vitin 2022, fondi i pagave për punonjësit shtetërorë është 78.8 miliardë lekë, ose 21.8% më i lartë se ai i vitit 2010, teksa shpenzimet e përgjithshme buxhetore gjatë dekadës u rritën me 75%.

Këtë vit, shpenzimet për investimet kapitale, zëri më produktiv i buxhetit në ekonomi pritet të realizohet me 123 miliardë lekë (1,1 miliardë euro), gati 97% më shumë se në buxhetin e vitit 2010. Vitet e fundit, qeveria po i orienton fondet publike në investime, një pjesë e të cilave shkon për financimin e kontratave në Partneritet Publik-Privat (PPP), por ky proces po shoqërohet me mungesë transparence dhe çka është më e rëndësishme, me mungesë produktesh.

Nuk ka një bilanc të investimeve me bazë produkti dhe njësie me fondet e shpenzuara. Afatet dhe kontratat nuk po respektohen, ndërkohë qeveria nuk ka një inventar të veprave publike me kostot dhe amortizimet për t’iu treguar qytetarëve të saj se si i ka shpenzuar taksat. Faturat e projekteve ndryshojnë nga viti në vit, për shkak të gabimeve në planifikim dhe më vonë gjatë zbatimit.

Për shembull, në relacionin që shoqëron projektbuxhetin 2022, qeveria i faturoi shpenzimet për Rrugën e Arbrit në vlerën 58 miliardë lekë, ndërsa në buxhetin e vitit 2020 e faturoi me 40 miliardë lekë, ndërkohë vlera në kontratë me kompaninë është 33 miliardë lekë. I njëjti institucion, Ministria e Financave në të dhënat e thesarit, llogariti vlera krejt të tjera. Në vitin 2019, Rruga e Arbrit u programua me 75 miliardë lekë në shpenzimet e thesarit, ndërsa këtë vit është faturuar me 39 miliardë lekë.

Në tre vitet e fundit, Ministria e Financave ka raportuar së paku 6 vlera të ndryshme për koston e Rrugës së Arbrit, e cila po ndërtohet me Partneritet Publik-Privat. Ministria e Financave refuzoi të sqaronte kaosin e faturimeve. Situata mbetet e njëjtë edhe për projektet e tjera, sidomos për kontratat koncesionare, shpenzimet për të cilat kanë dalë jashtë kontrollit. Për shembull, në buxhetin e vitit 2022, qeveria programon koston e segmentit të rrugës, Milot-Fier, pjesë e autostradës Joniane me 178 miliardë lekë, me kosto dy herë më të larta se studimi i fizibilitetit.

Do mblidhen 380 mln euro më shumë më 2002
Bizneset dhe qytetarët e vendit do të kontribuojnë në buxhetin e shtetit me 384 milionë euro më shumë se këtë vit. Ministria e Financave ka programuar të arkëtojë në buxhetin e vitit që vjen rreth 536 miliardë lekë, ose 9.7% më shumë (47,2 miliardë, ose 384 mln euro) se pritshmëritë e këtij viti.

Pavarësisht se në vlera neto, arkëtimet janë planifikuar me rritje, ato do të vijnë në ulje në raport me madhësinë e ekonomisë. Të ardhurat në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) janë planifikuar me ulje 1.5% në raport me vitin aktual. Gjatë vitit që vjen, arkëtimet buxhetore do të jenë 28.7% e PBB-së nga 30.3% që pritet të jenë këtë vit. Ritmet e rritjes së të ardhurave buxhetore gjatë vitit që vjen janë më të lartat që nga viti 2008, kur ky zë u rrit me mbi 15%.

Siç shihet nga vetë analiza e Ministrisë së Financave, rritja e të ardhurave vitin që vjen do të përballohet nga pagesat e drejtpërdrejta si pasojë e rritjes së çmimeve dhe përjashtimeve fiskale se sa nga rritja ekonomike.

Për shembull, nga të ardhurat shtesë, 31% do të vijnë nga TVSH. Ministria e Financave raportoi se të ardhurat nga TVSH parashikohet të jenë 161.1 miliardë lekë, 14.6 miliardë lekë ose 9.6% më shumë se pritshmëria për vitin 2021. Burimet kryesore të rritjes së TVSH-së në vitin 2022 do të jenë TVSH që do të gjenerohet si rezultat i rimëkëmbjes ekonomike, TVSH nga rritja e volumit të importeve dhe koniunktura e çmimeve ndërkombëtare, TVSH nga përmirësimi i administrimit, lufta ndaj informalitetit dhe kontrolli i zinxhirit të transaksioneve ndërmjet operatorëve dhe TVSH si rezultat i efekteve të paketës fiskale 2022.

Duke iu referuar analizës së Ministrisë së Financave të këtij viti, rritja e të ardhurave përtej parashikimeve erdhi nga arkëtimet doganore, si pasojë e shtimit të volumeve të importeve dhe çmimeve. Të ardhurat nga TVSH në import për 9-mujorin 2022 ishin 90.9 miliardë lekë, 19.4 miliardë lekë ose 27.1% më shumë se një vit më parë, si dhe 9.8 miliardë lekë, ose 12.2% më shumë se plani.

Ministria e Financave analizoi se arkëtimet me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së erdhën nga: karburanti i importit me 3.1 miliardë lekë shtesë; automjetet e përdorura me 2 miliardë shtesë; metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 1.9 miliardë; veshje dhe tekstile me 0.9 miliardë lekë dhe materialet e ndërtimit me 0.8 miliardë lekë, etj. Rritja të ardhurave, e cila po nxitet nga kërkesa post-pandemike për mallra, do të jetë me karakter të përkohshëm.

Ministria e Financave njoftoi se vitin e ardhshëm do të nisë zbatimin e një strategjie të re fiskale, me të cilën synohet të miratohet një paketë fiskale që do të jetë e vlefshme për tre vitet në vijim. Kjo paketë, e cila është hartuar me ekspertizën e FMN, do të heqë disa favorizime fiskale që kanë të bëjnë me përjashtimet e TVSH-së. Paketa e re do të sjellë ndryshime edhe në normën e taksave, kryesisht nëpërmjet unifikimit të pragjeve tatimore. Ministria e Financave sqaroi se paketa e re fiskale do të ketë efekt në rritjen e të ardhurave tatimore me 3,1% vitin që vjen.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” vlerësohen me rritje 6.5% ose 1.9 miliardë lekë më shumë se viti 2021, pra parashikohet të arkëtohen 35.6 miliardë lekë, duke kontribuuar me 4% në të ardhurat shtesë të vitit 2022. Rritja e parashikuar në tatimin mbi fitimin bazohet sipas Ministrisë së Financave në: rikuperimin e ekonomisë dhe rritjen e saj, gjë që do të reflektohet edhe në deklaratat e tatimpaguesve dhe në forcimin e kontrollit të deklaratave, bazuar në kriteret e riskut.

Të ardhurat nga “Akciza” vlerësohen të jenë 56.8 miliardë lekë, me një rritje prej 4.6 miliardë lekë, ose 9% më shumë se pritshmëritë për vitin 2021. Akcizat do të kontribuojnë në 9.7% të të ardhurave shtesë, teksa faktorët kryesorë, që do të ndikojnë në rritjen e parashikuar të të ardhurave nga akciza, lidhen me: rritjen e importit të mallrave të fortë si karburante dhe cigare, si dhe forcimin e luftës kundër informalitetit, nëpërmjet kontrollit rigoroz të subjekteve të akcizës, si dhe disiplinimit të mëtejshëm të procedurave të përfitimit të përjashtimeve dhe rimbursimeve nga kjo taksë, analizoi Ministria e Financave

Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” parashikohen 45.2 miliardë lekë, me një rritje prej 2.5 miliardë lekë, ose 5.8% më shumë se pritshmëritë për vitin 2021. Të ardhurat nga TAP do të kontribuojnë 5.3% në të ardhurat shtesë në vitin 2022 dhe për rritjen e tyre janë marrë në konsideratë rimëkëmbja ekonomike dhe impakti i saj në nivelin e pagës mesatare, si dhe rritja e numrit të të punësuarve në sektorin privat.

Të ardhurat nga “Taksa Nacionale dhe të tjera” vlerësohen të jenë 49.7 miliardë lekë. Parashikimet për këtë taksë për vitin 2022 janë 21.6%, ose 8.8 miliardë lekë më shumë se i pritshmi 2021. Kjo taksë do të kontribuojë me 17% të të ardhurave shtesë në vitin 2022 dhe bazohet në rritjen e mbledhjes së taksës së qarkullimit të automjeteve, si dhe si rezultat i rritjes së sasive të karburantit që do të hidhen në treg.

Të ardhurat nga kontributet do të ndikojnë në 15% të të ardhurave shtesë të programuara në vitin 2022, që do të vijë nga përmirësimi i punësimit dhe lufta ndaj informalitetit në deklarimin e pagave reale.

Shpenzimet 5.1 mld euro përjashtojnë shtresat e varfra, pagesat me ulje më 2022
Banka Botërore, në raportin e vjeshtës 2022, përcaktoi se mbi 30% e popullsisë së Shqipërisë jeton poshtë kufirit relativ të varfërisë 5 USD në ditë. Numri i të varfërve, në raport me popullsisë totale, është gati 30% më i lartë se mesatarja rajonale. Gjithashtu Eurostat e renditi Shqipërinë të parën në Europë për nivelin e popullsisë në rrezik varfërie dhe përjashtimi social.

Eurostat raportoi se në vitin 2019, Shqipëria kishte 50.9% të popullsisë së saj në rrezik varfërie. Por teksa qeveria po rrit me shpejtësi, të ardhurat buxhetore dhe në të njëjtën kohë edhe borxhin publik, institucionet financiare ndërkombëtare këshilluan që të ketë rishpërndarje më të drejtë të shpenzimeve ndaj të varfërve. Përkundër këtyre këshillave, qeveria i shkurtoi më tej fondet për ndihmën ekonomike në vitin 2022. Sipas treguesve fiskalë, që shoqërojnë projektbuxhetin e vitit 2022, shpenzimet për ndihmën ekonomike do të jenë 23,5 miliardë lekë, ose 4.7% më të ulëta se këtë vit.

Shpenzimet për ndihmën ekonomike, paga që shkojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për familjet në nevojë janë rritur me ritme shumë më të ulëta se shpenzimet e përgjithshme buxhetore. Buxheti parashikon që në vitin 2022, shpenzimet buxhetore në tërësi të rriten me 5%, ndërsa fondet për ndihmën ekonomike u shkurtuan me gati 5%.

Shtresa tjetër më e varfër e popullsisë, pensionistët, këtë vit do të përfitojnë një indeksim të pagesës me vetëm 2.5%. Shpenzimet për arkën e pensioneve u rritën me 4.6%, me ritme më të ulëta se rritja e shpenzimeve të përgjithshme. Por fondet shtesë, në 70% të tyre, do të shkojnë për pagesën e personave që do të dalin në pension më 2022, rreth 16 mijë të tillë. Për herë të parë në historinë e tranzicionit, vitin e kaluar pensioni mesatar në vend shënoi ulje me rreth 3%. Rritja e shpenzimeve po konsumohet nga shërbimi i borxhit dhe investimet kapitale, për të cilat nuk ka një raport të hollësishëm.

Investimet Publike për vitin 2022 janë planifikuar në masën 6.4% e PBB ose 119.1 miliardë lekë (duke përfshirë këtu edhe fondin e rindërtimit në shumën 20 miliardë lekë, si dhe transfertën kapitale për fondin e shpronësimeve me 1,8 miliardë lekë). Në planifikimin e investimeve për vitin 2022 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm.

Ashtu si dhe në vitin 2021, edhe në vitin 2022 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim, raportoi Ministria e Financave. Në katër vitet e fundit, investimet publike kanë kaluar shifrën e 5 miliardë eurove, por qytetarët nuk kanë marrë mbrapsht produkte të dukshme. Kostot e larta me të cilat po bëhen punimet po ngrenë dyshime për eficencën e përdorimit të tyre.

Për shembull, Ministria e Financave të Kosovës njoftoi se i ndërtoi dy kilometra rrugë të kategorisë C (6 metra gjerësi) me 148 mijë euro. Ndërsa Ministria e Infrastrukturës në Shqipëri ka raportuar se në vitin 2020, një kilometër rrugë e kategorisë “C” ka kushtuar 667 milionë lekë, ose rreth 6 milionë euro. Një njësi e ngjashme po në Shqipëri, e ndërtuar me fonde të huaja, ka kushtuar 111 milionë lekë, ose 6 herë më pak.

Shpenzimet shtesë po udhëhiqen për të bërë pagesën e borxhit si rezultat i rritjes neto të tij. Vitin që vjen, shpenzimet për interesat e borxhit janë planifikuar në 50.7 miliardë lekë, ose 16% më të larta se këtë vit

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore rriten me 23% për vitin 2022, ose me ritme mbi katër herë më të larta se shpenzimet e përgjithshme buxhetore, me vlerë të planifikuar 64 miliardë lekë. Ministria e Financave sqaroi se në këtë zë është programuar mbështetja me përparësi e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si: blerja e vaksinave anti-COVID, skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, programet e nxitjes së punësimit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetje për rininë dhe fëmijët.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2022 janë parashikuar në masën 59.7 miliardë lekë, me rritje 3.3% më shumë se Akti Normativ i vitit 2021. Këto shpenzime për vitin 2022, zënë 3.2% të PBB-së.

2020-2022, borxhi rritet me ritme më të larta se ekonomia
Gjatë viteve të fundit, qeveria e ka rritur borxhin publik me ritme të shpejta. Nga 65.8% që ishte borxhi bruto në vitin 2019, në fund të këtij viti do të arrijë në 80% të PBB dhe vitin tjetër, rreth 79%. Siç shihet nga të dhënat e qeverisë, borxhi publik gjatë tre viteve në vijim do të rritet në vlerë më shumë se rritja ekonomike.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në vitin 2022, borxhi do të arrijë në 78.9% të PBB-së prej 1,867 trilionë lekësh. Në vlera neto, borxhi zgjerohet gjatë periudhës 2020-2022 me mbi 251 miliardë lekë, ndërsa ekonomia në këtë periudhë është planifikuar të zgjerohet me 249 miliardë lekë për të arritur në 1,867 trilionë lekë nga 1,617 trilionë lekë më 2020.

Në kuptimin e parë, qeveritë e marrin borxhin, për disa shpenzime që nuk mbulohen nga të ardhurat. Ato janë zakonisht investime në infrastrukturë dhe projekte zhvillimore që të mund të prodhojnë rritje ekonomike. Nëpërmjet rritjes dhe produktivitetit që këto projekte krijojnë, ndikojnë në rritjen e përfitimeve për shlyerjen e borxhit. Projektet e financuara me borxh në të ardhmen gjenerojnë të ardhura që ndihmojnë me pakësimin e tij në vazhdim.

Panajot Soko, ekspert i çështjeve makro, i cili më parë ka punuar në Drejtorinë e Programimit Buxhetor në Ministrinë e Financave, thotë se në vendin tonë, problemi më i madh në lidhje me borxhin e lartë publik, është se ai nuk ka gjeneruar rritje ekonomike, por vetëm ka rënduar situatën fiskale, duke u bërë barrë për buxhetin. Një kompani private, për të zgjeruar gamën e aktivitetit ekonomik, dhe rrjedhimisht të ardhurat, mund të përdorë instrumentin e borxhit.

Edhe për periudhën në vijim, të dhënat tregojnë se borxhi nuk po rezulton produktiv përderisa kthyeshmëria nga ekonomia mbetet më e ulët. Kështu ndodhi gjatë gjithë dekadës në vijim, ku vlera e shtuar e ekonomisë ishte më e ulët se ritmet e rritjes së borxhit publik.

Nga viti 2010 në 2015, ekonomia e vendit është shtuar me 152 miliardë lekë, ndërsa borxhi me 269,7 miliardë lekë. E njëjta ecuri është edhe për periudhën 2015-2020. Ekonomia është zgjeruar me 99 miliardë lekë, ndërsa borxhi publik, me 158 miliardë lekë.

Ministria e Financave ka sqaruar se borxhi publik bruto do t’i rikthehet një trajektore rënëse, duke filluar që nga 2022, në përputhje me rregullin përkatës fiskal, ku pritet të bjerë në rreth 78.9% të PBB nga rreth 80% i pritshëm për këtë vit.

Balanca primare do të rikthehet në nivel pozitiv (suficit primar) nga viti 2024 e në vijim. Edhe ky target tashmë është ligjërisht i detyrueshëm, ku në LOB përcaktohet se duke filluar nga viti buxhetor 2024 e për çdo vit në vijim, balanca primare të rezultojë jo më e vogël se sa zero (pra së paku e balancuar ose pozitive). Sipas skenarit bazë, borxhi publik pritet të ulet në rreth 74.9% në vitin 2025 dhe më tej në rreth 67.9% në vitin 2028./Monitor/