MENU
klinika

"I kanë përdorur të tjerët telefonin!"

Deputeti socialist uroi me portretin e Enver Hoxhës/ Reagon Balla

29.11.2021 - 12:30

Urimi i pazakonte në grupin e “Whatsapp” të Komisionit të Sigurisë, me portretin e Enver Hoxhës nga ana e deputetit socialist, Bujar Çela ka sjellë reagime të shumta nga radhët e politikës.

Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla thotë se ka marrë një sqarim nga deputeti, që sipas tij i është përdorur telefoni nga dikush tjetër.

Sipas, Ballës sjellja e deputetit socialist është duke u verifikuar në aspektin e kodit të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar dhe se do të këtë masë disiplinore sapo situata të sqarohet.

Balla nga ana e tij ftoi të gjithë deputetët që të raportojnë raste të tilla, pasi siç thotë ai PS ka të gjithë instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë çdo lloj hapi apo mase disiplinore.

“Unë kam marrë një sqarim nga deputeti në fjalë, që bëhet fjalë për përdorim të aparatit të tij celular nga persona të tjerë. Kjo do të jetë pjesë e një verifikimi në aspektin e kodit të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar dhe çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të ketë verifikime. Do i kërkoja të gjithë kolegëve të tjerë të raportojnë raste të tilla dhe natyrshëm që grupi parlamentar i PS ka të gjithë instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë çdo lloj hapi apo mase disiplinore”, tha Balla nga Fieri.

CFARE NDODHI DJE NE GRUPIN E WHATSAPP TE KOMISIONIT TE SIGURISE

Urimi i ligjvënësit socialist është bërë me mesazh në grupin e WhatsApp të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, duke sjellë më pas debate dhe batuta mes deputetëve.

I pari që ka reaguar pas atij urimi ishte deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj, i cili i është përgjigjur duke i thënë: “Është turp i madh dhe pashpirtësi njerëzore, ky akt i mësipërm. Të postosh foton e diktatorit, siç ka bërë deputeti faqezi tregon fytyrën e vërtetë të nostalgjikëve të komunizmit, pavarësisht ngjyrave të sotme. O deputet faqezi, kushdoqofsh ti hiqe këtë foto. Turp, turp, turp”
Më pas në grupin e WhatsApp ka shkruar edhe deputetja Dhurata Çupi: Turp është. Nëse s’ke dëshirë të urosh në mënyrë qytetare dhe të pranueshme, hesht. Ky është veprim i papranueshëm.

Pavarësisht reagimeve aspak pozitive nga ana e ligjvënësve demokrate, deputeti socialist nuk ka hequr dore, por ka vazhduar sërish duke shkruar në mënyrë ironike: “Rrituni për Shqipërinë që duam”.

Ndërsa deputeti tjetër demokrat, Isuf Çela ka reaguar duke shkruar: “I nderuar koleg kushdo që të jeni ju, e para nuk është korrekte të dërgosh në grupin e një nga komisioneve më të rëndësishme parlamentare një urim me atë foto të ish-diktatorit në sfond dhe aq më tepër përgjigja ironike: Rrituni për Shqipërinë që duam”.

Për këtë mesazh urimi ka komentuar edhe deputeti tjetër socialist, Paulin Sterkaj, i cili shkruan: “Ky shoku jonë është gastori i grupit, kështu që mos ja merrni për provokim.

Më tej deputeti Bujar Çela ka shkruar sërish në grupin e WhatsApp, duke thënë: “Më rruan leshtë kush s’më njeh mua dhe kohën”

Ndërkohë pas mesazheve, administratorët kanë hequr nga grupi deputetin Bujar Çela dhe sqarojnë se telefoni i tij është humbur dhe po përdoret nga dikush tjetër.

“Të nderuar kolegë deputetë! Deputeti Bujar Çela ka humbur telefonin dhe dikush po e përdor. Lutemi mos ju përgjigjni telefonatave ose mesazheve, sapo kompania përkatëse celulare ta bllokojë dhe ti kthejë numrin zotit Çela”.